Rrëfehet babai i katër fëmijëve: Më vjen turp nga varfëria ime e tejskajshme

Historia e sotme në “Historia ime” në Tv Klan nën drejtimin e Mirela Milorit është e pazakontë. Ilirjan Berati nga Ebasani është 60 vjeç dhe jeton në një varfëri të tejskajshme.

Edhe pse vazhdimisht ka bërë përpjekje për t’u punësuar përmes Zyrës së Punës, ai pretendon se nuk i është ofruar asnjë variant pune. E vetmja e ardhur që ai dhe bashkëshortja e tij ka, është një ndihmë ekonomike prej 3 060 lekësh të vjetra.

Në vitin 2014, si pasojë e aplikimit të skemës së re të ndihmës ekonomike, ai u përjashtua nga sistemi. Në vitin 2015 si pasojë e rilidhjes së energjisë elektrike në mënyrë të paligjshme u ndoq penalisht. Si pasojë, u dënua nga Gjykata e Elbasanit me 18 muaj detyrim paraqitje për vjedhje të energjisë elektrike. Në vitin 2018, Ilirjani u fut në skemën e ndihmës ekonomike nga Fondi i Bashkisë.

Të ardhurat e tij mbeten të pamjaftueshme për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj OSHEE-së. Ai dhe familja e tij jetojnë në kushte të vështira dhe në studio, ai kërkon punë dhe ndihmë për të shlyer detyrimet.

Mirela Milori: Ju keni 4 fëmijë?

Ilirjan: Po!

Mirela Milori: Janë të martuar?

Ilirjan: Po të katërt janë të martuar.

Mirela Milori: Ju jetoni vetëm me bashkëshorten tuaj?

Ilirjan: Po!

Mirela Milori: Çfarë pune ke bërë gjatë këtyre viteve?

Ilirjan: Punëtor, kazmën, lopatën, thjesht njeri pa arsim jam, me 4 klasë fillore. Bashkëshortja është me 8-vjeçare. Nga ‘95 dhe deri tani është e papunë ajo edhe unë. Në ’95 kemi dalë në asistencë. Kemi marrë një vit asistencë, pastaj jemi trajtuar me ndihmë ekonomike deri në 2014. Në 2014 mu hoq ndihma ekonomike, shkoja pyesja në komunë ku bënim aplikimin, më thoshin nuk del fitues. Por për çfarë arsye? Nuk plotëson pikët dhe se çfarë ishin këto pikë, asnjëherë nuk mora ndihmë nga askush. Mbas 4- vjetësh nuk e di si i plotësova pikët dhe më njoftojnë nga komuna që ti do trajtohesh me ndihmë nga Fondi i Bashkisë.

Mirela Milori: Sa lekë në muaj keni ju në familje?

Ilirjan: Sot për sot të ardhurat tona, burrë e grua që jemi ne. Ne marrim 3 060 lekë të vjetra në muaj.

Mirela Milori: Keni 4 fëmijë, ju ndihmojnë fëmijët?

Ilirjan: Fëmijët duan të na ndihmojnë, dëshirën e kanë të madhe, por janë me fëmijë, janë pa shtëpi, janë pa punë, plus që janë dhe me qira.

Mirela Milori: Ilirjan 30 mijë lekë të vjetra në muaj, si ia dilni?

Ilirjan: Ne na është bërë monotone jeta, sepse dhe atje ku kemi vajtur, kemi trokitur në çdo lloj institucioni nuk kemi marrë asnjë përgjigje të saktë. Ne jetojmë me kazanin e plehrave. Ne burrë e grua natën hedhim ndonjë gjë në kokë, që mos na njohin gjoja njeri, se iu vjen zor fëmijëve, se thonë babi i filankës ose babi i filanit, nëpër kazanët e plehrave. Mbledhim ndonjë qese plasmasi, ndonjë kanaçe po gjetëm, këto na kanë mbajtur gjallë deri sot.

Për shkak të gjendjes së vështirë financiare, ata nuk kanë mundur të paguajnë as energjinë elektrike duke u kthyer në debitorë për dritat dhe ujin.

Ilirjan: Kemi qenë në pamundësi, jo se s’kemi pasur dëshirë për të paguar energjinë apo ujin, por në pamundësi jemi debitorë dhe arritëm u bëmë debitorë deri në 2 milionë lekë të vjetra, plus për ujin. Unë jam debitor rreth 750 mijë lekë të vjetra.

Mirela Milori: Keni tentuar të bëni ndonjë punë tjetër, ti dhe bashkëshortja?

Ilirjan: Po kam tentuar, më kanë ndihmuar njerëz, miq të afërm, më kanë dhënë 30 mijë lekë të vjetra kam blerë një thes fara. Dal në trotuar dhe shes ndonjë kaush fara, më shumë për të paguar lekët e dritave. Unë jam dhe në gjyq, kam marrë dhe dënim nga gjykata për mospagesën e dritave. Gjykata dhe Prokuroria më kanë akuzuar për vjedhje të energjisë kur unë nuk kam patur ndonjë procesverbal nga OSHEE, se kam luajtur sahatin, kam lidhur telin tek shtylla ose tek komshiu. Mua më vinte fatura rregullisht për sa harxhoja, muaj për muaj.

Mirela Milori: Dua të ndalem tek e përditshmja.

Ilirjan: Logjika ime dhe si i pashkollë që jam, unë këtë 50 lekësh të ri dua t’ja jap një njeriu që di të bëjë shumëzime, pjestime, Ministrit të Financës, se atë quaj unë njeriun më të ditur në aritmetikë. Ta shikoj unë si e nxjerr ai ditën me ushqime, me veshmbathje, me ujë, me drita, një ditë që ta mësoj dhe unë si mund ta kaloj ditën me kaq lekë. Unë e dua shtetin, i dua ligjet e shtetit sa më të forta, se aty unë e ndjej veten më të sigurt, familja ime, shoqëria ime, por me kaq lekë nuk e di se në çfarë shteti mund të jetohet.

Mirela Milori: Si ia dilni?

Ilirjan: Ne hamë njëherë në ditë, ndonjë palë pantallona e gjejmë në kazan të plehrave, në dyqan kam njëzet vjet që nuk blej dot një palë çorape. Jam i sëmurë me ulçer dhe plus kësaj kam 3 vite që kam zbuluar që jam me gur në veshka, e kam gurin 2 centimetra dhe s’kam bërë asnjë lloj mjekimi. Kemi kërkuar punë dhe nuk na është krijuar mundësia. Dhe kemi marrë përgjigje për punësim, që për romët dhe egjiptianët është shumë e vështirë punësimi në firma private, se ne jemi njerëz pa arsim, kategori dhe zanat. Kjo për mua, kjo do të thotë që shteti thotë për mua, ti vdis.

Gentian Sejrani, aktivist i shoqërisë civile shprehet se në rastin e Ilirjanit bëhet fjalë për një diskriminim të dyfishtë dhe arsyeja e përjashtimit të tij nga skena e ndihma ekonomike nuk u bë asnjëherë e ditur nga ana e institucioneve shtetërore.

Në fakt historia që Ilirjani solli sot tek emisioni juaj është historia e 60 mijë familjeve shqiptare që trajtohen me ndihmë ekonomike. Dhe po të marrim mënyrën si ato jetojnë është po e njëjtë me atë të Ilirjanit, po tek Ilirjani është diskriminim i dyfishtë sepse është familje e varfër, por edhe është familje që i përket komunitetit egjiptian. Dhe kur flasim për një minoritet që ndër vite është diskriminuar, ndoshta dhe në mënyrë të tërthortë ose të fshehtë, ne patjetër themi që ka një diskriminim tek këto komunitete. Për sa i përket situatës, ai e tregoi edhe vetë që është një nga familjet e para që është përjashtuar edhe nga ndihma ekonomike, ndoshta edhe padrejtësisht sepse asnjëherë nuk e morën përgjigjen nga institucionet shtetërore, se kush ishte arsyeja që Ilirjani nuk përfitonte ndihmën ekonomike”.

Zyra e punës nga Bashkia e Elbasanit në lidhje me rastin e paraqitur shprehet: Zotëria jeton në një apartament 1+1 në kushte mesatare. Familja trajtohet me ndihmë ekonomike dhe merr kompesim për energjinë elektrike, siç e parashikon ligji. Disa herë është ndihmuar, përmes shoqatave që bashkëpunojnë me Bashkinë e Elbasanit. Ndërkohë nuk qëndron pretendimi i zotërisë, përsa i përket punësimit. Zotëria ka refuzuar mundësitë e punësimit që i ka ofruar zyra e punës.

Por Ilirjani shprehet se diçka e tillë nuk është e vërtetë sepse nuk i është ofruar asnjë vend pune.

Share With:



72 Views