Rreziqet afatshkurtra dhe afatgjata për gratë që zgjedhin të lindin me operacion; Përse mjekët janë për lindje natyrale

Lindja me operacion shoqërohet me rreziqe, ku përfshihet edhe qëndrimi më i gjatë në maternitet. Zakonisht, pas lindjes me operacion një grua qëndron deri në tri ditë, ndërsa një tjetër që lind në mënyrë natyrale, qëndron dy ditë.

Rreziku i infeksionit është më i madh. Meqenëse kemi të bëjmë me një operacion, rreziku i infeksionit pas lindjes është më i madh se në lindjet natyrale.

Komplikacionet e kirurgjisë. Meqenëse lindja me operacion është një ndërhyrje kirurgjikale, ajo shoqërohet me rreziqe, si: komplikacion, infeksion të plagës, hemorragji, dëmtim të organeve të ndryshme dhe mpiksje gjaku. Gjithashtu, një rrezik është edhe anestezia e përdorur në këtë ndërhyrje.

Një lidhje e vakët me foshnjën dhe pak mundësi për ta ushqyer me gji. Në orët e para pas lindjes, nuk do të jeni në gjendje t’i jepni gji foshnjës ose të merreni shumë me të. Por kjo është e përkohshme, sepse pasi ta merrni veten, do të keni kohë të mjaftueshme për të dyja këto.

Rreziqet për nënën.

Rreziqet që mund të shoqërojnë lindjen me operacion, janë si më poshtë:

Komplikacionet në të ardhmen. Pas çdo shtatzënie rritet edhe rreziku i të tjerave që mund të keni në të ardhmen. Ky rrezik rritet gjithnjë e më shumë pas lindjeve me operacion. Pjesa më e madhe e grave mund të bëjnë deri në tri operacione cezariane. Gjithsesi, çdo operacion është më i ndërlikuar se i fundit. Për disa gra, rreziku i komplikacioneve, si infeksioni apo hemorragjia, nga një operacion në tjetrin rritet në mënyrë të papërfillshme, por për disa të tjera, rreziku i komplikacioneve rritet ndjeshëm pas çdo operacioni.

Shkëputja e mitrës në shtatzënitë pasardhëse.

Nëse vendosni që të bëni lindje natyrale pas një lindjeje me operacion, ekziston rreziku i shkëputjes së mitrës. Këto rreziqe janë të vogla, por gjithsesi, duhet t’i diskutoni më parë me mjekun.

Probleme me placentën. Rreziku i problemeve të placentës, te gratë, lindja e mëparshme e të cilave ka qenë me operacion, në shtatzënitë pasardhëse është më i madh. Ndër këto probleme mund të përmendim placenta previa-n (shikoni faqen 465), e cila ndodh kur placenta mbulon të çarën e qafës së mitrës dhe shpesh shkakton lindje të parakohshme. Kjo dhe komplikacionet e tjera të shkaktuara nga lindja me operacion, rrisin ndjeshëm rrezikun e hemorragjisë.

Rritja e rrezikut të histerektomisë. Disa probleme, si placenta akreta, ku placenta është e ngjitur pas murit të mitrës, kërkojnë heqjen e kësaj të fundit (histerektomia) gjatë procesit të lindjes ose më pas.

Dëmtim i zorrëve ose i fshikëzës së urinës. Gjatë lindjes me operacion, dëmtimi i paqëllimshëm i zorrëve apo fshikëzës së urinës është i rrallë, por ka mundësi të ndodhë në operacionet e mëpasshme. Edhe komplikacionet me placentën mund ta dëmtojnë fshikëzën e urinës.

Share With:



68 Views