Sa rrezik përbën kordoni umbilikal rreth qafës së fetusit?

Afërsisht çdo e treta bebe lind me kordon rreth qafës. Por, mos keni frikë, sepse bebja nuk mund të ngulfatet dhe t’i zihet fryma.

Kërthiza (apo kordoni umbilikal siç i thonë mjekët) është një gyp i cili ka gjatësi rreth gjysmë metri dhe i cili e lidh beben me placentën. Përmes placentës dhe kordonit umbilikal bebja merr të gjitha substancat për të cilat ka nevojë. Pra, bebja në mitrën e nënës as nuk mund të hajë dhe as nuk mund të marrë frymë – gjithçka që i duhet bebes e merr nga nëna përmes placentës.

Bebja brenda në mitrën e nënës noton vazhdimisht në ujë. Pra, për nëntë muaj bebja noton vazhdimisht në lëngun amnial. Gjatë tremujorit të parë dhe të dytë bebja noton shumë më tepër për shkak se trupi e ka më të vogël dhe ka hapësirë të mjaftueshme brenda mitrës për të notuar lirshëm. Prandaj, kordoni umbilikal mund të mbështillet rreth qafës, dorës ose rreth trupit. Afërsisht çdo e treta bebe lind me kordon rreth qafës.
Por, mos keni frikë, sepse bebja nuk mund të ngulfatet dhe t’i zihet fryma. Bebja nuk merr frymë derisa është brenda trupit të nënës. Për këtë arsye rekomandohet që edhe pasi që të lind bebja të mos lidhet menjëherë kërthiza, sepse i ndihmon nëse edhe për dy-tre minuta vazhdon të marrë materie ushqyese nga nëna. Keni parë lindjen e bebes në ujë? Bebja e cila lind në ujë nuk vdes, sepse edhe pse del nga mitra e nënës në ujë, ajo vazhdon të marrë oksigjenin përmes kërthizës nga nëna.

Po nëse kërthiza është e rrotulluar rreth qafës së bebes? A paraqet rrezik për beben? Kjo është një nga brengat më të mëdha që kanë nënat e ardhshme (mund të themi edhe brenga më e madhe që mund të ketë një shtatzënë dhe burri i saj).
E thashë më sipër se kordoni umbilikal është një gyp. Në brendi të këtij gypi janë tri enë gjaku: dy arteriet umbilikale dhe një venë umbilikale. Nëpër këto enë të gjakut qarkullon gjaku me një shtypje të lartë të gjakut dhe vetë kërthiza është e mbështjellur me një masë xhelatinoze të cilën ne e quajmë substanca Wharton. Masa xhelatinoze wharton bën që kërthiza të jetë e rrëshqitshme dhe nuk mund të shtrëngohet.

A ndodhë shpesh që bebet të lindin me kërthizë të rrotulluar rreth qafës? Po! Rreth 30% e bebeve lindin me kërthizë rreth qafës. Bile shpeshherë mjekët dhe mamitë as që e përmendin këtë fakt ngaqë është i shpeshtë. Nëse kërthiza është rreth qafës mjeku ose mamia që e udhëheqë lindjen e liron kordonin (nëse është i shtrënguar rreth qafës) derisa të lind koka.

Sipas Kolegjit të Obstetërve dhe Gjinekologëve të Mbretërisë së Bashkuar kordoni rreth qafës nuk është arsye për të cilën duhet të kryhet lindja me operacion.
Ka raste kur nuk shkon çdo gjë ashtu siç kemi dëshirë dhe siç kemi planifikuar, por mos keni frikë se kordoni mund ta ngufatë beben. Ndonjëherë mjekët nuk mund t’ju japin përgjigje se përse ndodhë ndonjë komplikacion. Trupi i njeriut është një mrekulli! Ndonjëherë na duket se është shumë i thjeshtë, kurse shpeshherë e shohim se është shumë i komplikuar dhe ka një përsosmëri perfekte. Ndonjëherë mund të ndodhin probleme për të cilat nuk mund të gjendet asnjë fajtor, por shumicën e herëve është një mekanizëm i përkryer i evitimit të problemit që Krijuesi e ka bërë plan.

Share With:
Translate »
11349 Views