Sherri nisi për vajzën e madhe që Roberti ka nga martesa e parë dhe përfundoi me marrjen e shtëpisë së përbashkët

Konflikti në familjen e vëllezërve muzikantë Berisha, Robert dhe Patris ka qenë kryetema e mediave këto ditë. Pas deklaratës në ekran të bashkëshortit të Tuna Sejdiut se “Vëllau është si shkjau”, i cili mban anën e gruas në këtë konflikt të brendshëm familjar, pati shumë komentues, të cilët e konsideruan këtë një deklaratë nga më të fortat që vëllai mund të bëjë për vëllain kaq hapur.

I ftuar në “Xing me Ermalin”, çifti Tuna-Patris u pyetën nga Ermal Mamaqi për konfliktin e bujshëm mes Tunës dhe Robertit dhe Patrisi u përgjigj se “vëllau është si shkjau (hasmi)”, një shprehje që përdoret në Kosovë.

Por nuk vonoi Roberti me reagimin e tij pas kësaj deklarate. I ftuar në emisionin “Rreze dielli”, Robert Berisha u shpreh: “Janë disa thënie të këtij lloji në Kosovë dhe e kam menduar si shaka, duke qenë se e njoh Patrisin shumë mirë, i cili është çun shumë i mirë dhe pozitiv. Gjithsesi, Patrisi e tha atë që duhet me thënë. Mua m’u dukën shumë mirë aty dhe shpresoj që t’i shoh gjithë jetës mirë! Secili ka familjen e vet”, u shpreh Roberti.

I pyetur nëse është mërzitur për fjalët e të vëllait, këngëtari tha ‘Jo’, pasi sipas tij, të gjithë e dinë se ç’ka bërë ai për familjen. “Jo, unë e di të vërtetën, e di sa jemi të lidhur ne familjarisht brenda shtëpisë së Berishajve. Nuk është puna që e kemi përjashtuar Tunën, por siç tha dhe Patrisi, brenda Berishajve të gjithë e dinë, janë disa komente në ‘Youtube’, ka dokumente.

Nuk kënaqem prej komenteve, por ka ca komente të njerëzve që më njohin mua më herët dhe e dinë çfarë kam bërë për familjen, për vëllain, që duhet ta bëjë secili për familjen e vet. E vërteta gjithmonë del. Unë besoj që i kemi dhënë fund me të gjitha këto. Ndoshta edhe unë kam bërë gabim, por unë i uroj shumë sukses, shëndet çunit të tyre dhe besoj që me këto i mbyllim të gjitha këto muhabete!”, përfundoi Roberti.

SHERRIN MES DY VËLLËZERVE QË SOLLI TUNA

Por cila është e vërteta për të cilën e ka fjalën Roberti dhe të vërtetat për të cilat flitet nën zë në Prishtinë? Fjalët që qarkullonin në Prishtinë për një konflikt të mundshëm mes dy vëllezërve Robert dhe Patris Berisha dolën në sipërfaqe pas deklaratës që Robert Berisha bëri në emisionin “Rudina”, ku për herë të parë zbuloi arsyen se përse familja e tij nuk flet me Tunën.

Ai u shpreh se për shkak të Tuna Sejdiut, gruas tashmë të Patrisit dhe kunatës së tij, ai nuk do të jetë i pranishëm në asnjë ditëlindje të nipit. “Me Tunën as nuk dua që të takohemi. Nuk e di, për Patrisin dhe Tianin edhe jetën e jap. Të mbarojnë një herë e mirë këto thashetheme, Nora me asnjë artist në estradën shqiptare nuk ka pas problem. Tuna është ajo që me krejt estradën ka problem. Të gjithë janë gabim, vetëm ajo e ka mirë. Unë i kërkoj falje Patrisit që nuk ishim në ditëlindjen e Tianit dhe nuk do të kemi mundësi të shkojmë në asnjë ditëlindje të familjes së tij, për shkak të Tunës”, tregoi Roberti gjatë emisionit, duke sqaruar një herë e mirë marrëdhënien e tij me familjen e të vëllait.

DY VERSIONET E KONFLIKTEVE BRENDA FAMILJES BERISHA

E pas kësaj deklarate, që u pasua nga ajo më e forta e Patrisit, nisi të qarkullojë lajmi se shkaku i zënkës mes Robertit dhe Tunës është vajza që Roberti ka jashtë martese, një fakt i konfirmuar nga Tuna me postimet e saj.

Siç dihet, Roberti nuk e ka pranuar asnjëherë që ka një vajzë jashtë martese, e cila jeton në Londër me nënën e saj (e cila sipas disa rrëfimeve për mediat më parë është shprehur se nuk ka pasur lidhje, por një one night stand me Robertin para sa ai të njihej me Norën), natë nga e cila erdhi në jetë vajza.

Mediat e Kosovës shkruajnë se ky fakt ekziston dhe Tuna me nënën e saj janë shumë mikesha të mira. Kjo është arsyeja pse Nora nuk flet me Tunën, edhe pse dikur kanë qenë mikesha të ngushta. Tuna poston shpesh foto të vajzës, duke theksuar mbiemrin e dytë “Berisha” të saj, pas mbiemrit të nënës që vajza mban.

Kujtojmë që këto postime të Tunës vijnë pasi Roberti e ka mohuar në media se ka një vajzë më të madhe jashtë martese dhe vajza e tij e vetme është ajo nga martesa me këngëtaren Nora Istrefi.

Ndërkohë, është dhe një version tjetër, i hedhur nga një komentues në “Youtube”, (të cilit i referohet edhe Roberti në hyrje të këtij shkrimi), duke e konsideruar variant të saktë. Sipas gazetës “Blic”, konflikti mes Tunës dhe Robertit ka kohë që ka filluar.

Me anë të një komenti në “YouTube”, në videon e emisionit “Xing me Ermalin”, ku të ftuar ishin Tuna dhe bashkëshorti i saj Patrisi, një komentues që pretendon se është komshi në familjen Berisha, me llogarinë me emrin “Luli Pasuli” shprehet se Tuna është bërë shkak për prishjen e marrëdhënies mes dy vëllezërve.

Në komentin e tij ai thotë se Roberti jo vetëm e ka ndihmuar ekonomikisht familjen, por edhe e ka paguar shkollimin e Patrisit. Po, sipas pretendimeve të komshiut, ka qenë sjellja e keqe e këngëtares, që ka çuar në zënkën e shumëpërfolur mes këngëtarëve. Tuna, shprehet fqinji, “ka përzënë në rrugë prindërit e Patrisit dhe ka uzurpuar gjithë apartamentin e tyre”.

Në këtë koment në “YouTube” thuhet se “Sherrin, zënkat dhe shumë gjëra të tjera i ka shkaktuar Tuna, ‘nusja’ që ushtron dhunë në familje. Familja është viktimë e saj”, shkruhet ndër të tjera në këtë koment.

Share With:
Translate »
934 Views