Shqipëria, një vend sizmik: Cilat qytete janë më të rrezikuara

Në mes të prillit të këtij viti, sizmologu i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, prof.Edmond Dushi, u shpreh se “Shqipëria po hyn në periudhën e aktivitetit të lartë sizmik”. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për parashikim – pasi tërmetet nuk parashikohen – por për studime.

Sipas profesorit dhe studimeve të shumta, tërmetet e fuqishëm e godasin Shqipërinë kryesisht çdo 30-40 vite. Përpara tërmetit të pasdites së djeshme, lëkundja më e fortë që ka goditur vendin ishte ajo e vitit 1979, me magnitutë 7.0, me qendër Tivarin dhe Ulqinin, i cili shkatërroi dëme të mëdha në Shkodër.

Zona e Ballkanit është e dyta në botë për nga rrezikshmëria e aktivitetit sizmik dhe vendi ynë, përfshirë këtu Greqinë, Malin e Zi, Italinë dhe Turqinë, bën pjesë te vendet ku tërmetet janë të shpeshtë.

Shqipëria ndodhet mes mikropllakave të detit Adriatik e Jon, që përkthehet në rrezikshmëri ndaj tërmeteve, për shkak se gjatë lëvizjes, pllakat godasin njëra-tjetrën dhe shkaktojnë lëkundje.

Qytetet që ndodhen pranë vijës ndarëse mes pllakave dhe janë më të rrezikuara nga tërmetet janë: Durrësi, Vlora, Shkodra dhe qyteti i Sarandës. Po kështu edhe zonat e Lushnjes, Elbasanit dhe Dibrës paraqesin rrezikshmëri.

Tërmeti i pasdites së djeshme me epiqendër detin Adriatik, shumë pranë qytetit të Durrësit, u cilësua nga sizmologët si më i forti i dekadave të fundit. Thuhet se u regjistruan 297 goditje të tjera, por me magnituta të vogla. “Themi se goditja kryesore ka kaluar,” u shpreh sizmologu Rrapo Osmëni. “Goditje pas goditje do të kemi, por nuk do të jenë të rrezikshme. Madhësia e tyre vjen duke u zvogëluar.”

Share With:
Translate »
456 Views