“Si nuk e kërkoi njëherë!” Nëna e Bleona Matës dyshon te ish-bashkëshorti për zhdukjen e vajzës

Nëna e Bleona Matës vijon me thirrjet e saj të dëshpëruara për të gjetur të bijën.

E zhdukur që në maj të vitit 2010, Bleona ka gati 10 vjet që nuk gjendet pavarësisht pistave të ndryshme që ka pasur ndër vite.

Nëna e saj thotë se i ka humbur të gjitha shpresat nga strukturat e shtetit shqiptar për gjetjen e vajzës së saj.

“Ka 10 vite që është zhdukur vajza ime dhe nga shteti nuk kemi asnjë informacion, asnjë dritë jeshile për gjetjen e Bleonës, për bijën time të vetme. Unë i kisha kërkuar drejtësisë, që 10 vite radhazi 5 kriminelët rrinë të lirë, 5 dëshmitarët rrinë të lirë, 5 vajzat që e zhdukën Bleonën janë të lira. Unë e kam humbur besimin te shteti, unë pres çdo ditë më të mirën për Bleonën.

E dëshpëruar, Bukurie Mata tha se do të bëjë çmos që ta gjejë vetë të bijën:

“Unë do ta kërkoj në rrugë private, në të gjitha institucionet e tjera, por i lutem edhe njëherë shtetit të marrë masa për gjetjen e Bleonës, të marrë edhe njëherë në pyetje 5 kriminelët që rrinë të lirë. Unë dua të vërtetën për gjetjen e Bleonës. Dua një siguri, një pikë jeshile, një drejtim në gjetjen e saj, ndaj uniformës blu. E kam humbur besimin te drejtësia shqiptare, sepse 10 vite nuk kam asnjë pikë në gjetjen e Bleonës ndaj uniformës blu”.

Kjo e fundit dyshon se në këtë zhdukje mund të ketë gisht ish-bashkëshorti i saj, babai i Bleonës, i cili nuk e ka kërkuar aspak vajzën sipas Bukuries:

“Jo, nuk kemi asnjë lidhje, jemi ndarë me gjykatë. Ai si prind asnjëherë nuk e kërkon fëmijën, unë nuk e di çfarë prindi është ai. Çfarë babai është, çfarë i pamëshirë është, edhe këtu mund të hedhim dyshime se mund të dijë diçka dhe ai, bashkë me motrën e vet. Po na bën të dyshojmë, se 10 vite nuk bën asnjë thirrje për gjetjen e Bleonës. Vjehrri jonë e bën ndonjë thirrje shumë të rrallë”, thekson ajo.

 

Share With:
Translate »
458 Views