Si të jesh një baba i mirë

Të jesh një baba i mirë, është objektivi i pjesës më të madhe të burrave që planifikojnë të bëhen prindër, shpesh duke e ballafaquar këtë edhe me përvojën e të qenit bij.

E megjithatë bëhet fjalë për një detyrë shumë të vështirë, për më tepër më të vështirë se ajo e të qenit nënë. Dyshimi kryesor ka të bëjë me baballarët e rinj: të kenë një marrëdhënie miqësore me fëmijët, apo të mbajnë qëndrim autoritar; t’u bëhen atyre shokë lojërash, apo të jenë udhërrëfyesit me përvojë të jetës së bijve?

Mirëpo psikologët kanë bërë gjithnjë kërkime që të ndihmojnë baballarët sa më shumë të jetë e mundur në rrugëtimin e tyre si prindër. Kërkuesit dhe psikologët janë përpjekur të mësojnë nëse stili edukativ i prindërve ndikon dhe në ç’mënyrë te sjellja e fëmijëve.

Fokusi i kërkimit ishte gjetja e çelësit të sjelljeve kundërvajtëse, devijante të disa adoleshenteve… dhe gjetja nëse kanë të bëjnë këto me stilin edukativ të baballarëve të tyre.

Për të gjetur përgjigjet, studiuesit kanë marrë në shqyrtim një grup prej 600 studentësh, të cilët i kanë ndjekur gjatë fazës kyçe të rritjes së tyre, mes shkollës së mesme dhe asaj të lartë.

Në këtë mënyrë, studiuesit kanë ballafaquar tri stile edukative të ndryshme të baballarëve: autoritar (i besueshëm), zotërues (urdhërues) dhe tolerant (i butë).

Rezultatet kanë dëshmuar se stili zotërues (urdhërues) është më i keqi i mundshëm.

Stili zotërues

• Një prind urdhërues jep urdhra, të cilat nuk duhen vënë në diskutim. Dhe ky është një lloj pushteti-kontrollues i njëanshëm dhe që pengon shkëmbimin e pikëvështrimeve mes prindërve dhe fëmijëve.

Fëmijët e rritur me këtë tip sistemi edukativ priren të jenë dyshues ndaj të rriturve dhe të izoluar. Priren të nxisin dëshirën për t’u rebeluar ndaj një sistemi, të cilin e jetojnë si një pengesë që i detyron dhe nuk duan të dëgjojnë.

Shpesh ndodh që sa më sipër, të sjellë më pas sjellje të palejueshme dhe kundërvajtëse.

Stili i butë e tolerant

• Baballarë e këtij tipi janë gjithnjë të gatshëm, lëshojnë gjithnjë pe, nuk imponojnë rregulla ose edhe nëse i vënë, nuk u shkojnë deri në fund për të parë nëse fëmijët i vënë ato në zbatim. Dhe pastaj janë thellësisht tolerantë nëse fëmijët i shpërfillin rregullat e vëna për ta.

Fëmijët e këtyre baballarëve nuk i shohin prindërit, si dhe të rriturit e tjerë, si një figurë me autoritet. Por jo vetëm kaq. Kjo ndikon edhe në marrëdhëniet e tyre me veten: mund të rriten me një pasiguri të lartë për zotësitë e tyre dhe me aftësi të ulët vetëkontrolli. Duke u rritur, mund të shfaqin gjithashtu sjellje devijante ose keqbërëse.

E pra, siç thoshin latinët: Virtyti qëndron në mes. Ndryshe e thënë, në rastin konkret stili autoritar (që ngjall besim) është më i miri për t’u vënë në zbatim nga baballarët. Ky stil prindërimi do të prodhojë në të ardhmen fëmijë të ekuilibruar, që dinë të menaxhojnë autonominë e tyre, që janë në gjendje të jetojnë në mënyrë pozitive jetën shoqërore dhe atë personale.

• Një baba me autoritet është një guidë që di të krijojë dhe mbajë distancën e duhur me fëmijët. Vendos rregulla dhe është i kujdesshëm që ato të respektohen, por në të njëjtën kohë është i gatshëm të shpjegojë arsyet dhe të dëgjojë kërkesat dhe nevojat e fëmijës ashtu si dhe këndvështrimin e tyre. Një baba me autoritet është një figurë solide dhe e besueshme, i aftë edhe për të manifestuar ndjenja e butësi njëkohësisht. Një prind i kujdesshëm ndaj fëmijës së tij.

Në përmbledhje: “Stili i prindërimit ka ndikimin e vet të drejtpërdrejtë mbi mundësitë që fëmijët ta perceptojnë babanë si një figurë me autoritet të ligjshëm… dhe pastaj, adoleshentët që i shohin kësisoj baballarët e tyre, pra ua njohin dhe vlerësojnë autoritetin, kanë besim tek aftësitë e tyre, kanë më pak mundësi për të zhvilluar në këtë periudhë të rritjes së tyre sjellje kundërvajtëse.

Share With:
Translate »
919 Views