Si të organizoni një festë në shtëpi për fëmijët nga një deri në tre vjeç

Çfarë lojërash mund të organizoni për ditëlindjen e të voglit tuaj dhe çfarë ushqimesh mund të përgatisni për t’i kënaqur nga pak të gjithë? Nëse nuk keni asnjë ide, artikulli i mëposhtëm është i duhuri për ju.

Vogëlushi juaj ka ditëlindjen dhe ju dëshironi t’i organizoni një festë të vogël për të dhe bashkëmoshatarët e tij? Mund t’ju duket një angazhim i madh, por në të vërtetë nuk është. E rëndësishme është të parashikoni disa detaje për ta jetuar atë ditë me qetësi dhe plot lumturi.

Sigurimi i shtëpisë

Është e nevojshme që hapësira ku do të luajnë të vegjlit të jetë shumë e sigurt dhe të mos ketë rreziqe të fshehura. Mbyllini të gjitha dhomat e tjera të shtëpisë, vëzhgoni mirë çdo centimetër dhe hiqni objektet e vogla, ato që mund të thyhen, elektriket, izolojini të gjitha prizat, nëse nuk e keni bërë akoma.

Kur të vijnë mamatë e fëmijëve të tjerë dhe t’ju japin dhurata, “zhdukni” menjëherë gjithçka (futini në një vend të caktuar) për të mos krijuar rrëmujë dhe mbi të gjitha grindje mes fëmijëve për dhuratat.

Parashikoni një hapësirë të bollshme për të gjithë fëmijët. Përgatisni dhjetë peshqirë të vegjël, panolina dhe gjithçka tjetër që u duhet mamave në rast se do të ndërrojnë fëmijët gjatë festës.

Përgatitja e shtëpisë

Krijoni një ambient të “gjallë”, me letra zbukurimi, tullumbace dhe me gota nga të gjitha ngjyrat. Bëni dekoracione të vogla dhe të thjeshta me letra, blini kapela të posaçme për ditëlindje, por edhe maska apo mantele aq shumë të preferuara nga fëmijët. Nëse mundeni dhe shtëpia jua lejon, caktoni zonën e lojërave ndoshta duke krijuar një “kopsht” të vogël, duke shtruar një tapet të gjelbër.

Lojërat për t’u luajtur

Shtëpiash

Një pasion i madh për të vegjlit dyvjeçarë është loja shtëpiash. Ju mund të gjeni disa enë të mëdha ku mund të hidhni oriz dhe disa enë të tjera lodra (tenxhere, pjata, lugë, pirunë) në mënyrë që loja të bëhet vërtet interesante. Protagonistët do të argëtohen duke e futur orizin nga një enë në tjetrën. Për të shmangur gjetjen e orizit në çdo cep, caktoni kufirin ku do të zhvillohet kjo lojë dhe në të shtroni një mbulesë të madhe.

Vallet e fëmijëve

Nuk ka festë pa muzikë. Krijoni një listë këngësh me ato që fëmijët i njohin mirë, pse jo të personazheve të animuara aq shumë të dëshiruara nga ata. Ndërkohë, mund të merrni 10 shishe plastike transparente me forma të ndryshme (për shembull shishe uji, lëngu frutash etj.), konsumojeni përmbajtjen e tyre dhe më pas mbushini me kokrra kafeje, oriz, gurë të vegjël etj. Fëmijët do të mund të argëtohen shumë me “instrumentin” e tyre, ndërsa do të ndjekin ritmin e muzikës ose do ta krijojnë një të tillë vetë.

Ushqimet

Së pari, duhet të bëni kujdes me intolerancën ushqimore të fëmijëve të kësaj grupmoshe (1-3), ndaj është mirë të shmangni kikirikët, pasi mund të shkaktojnë alergji dhe janë jo të shëndetshëm. Preferoni paninet e vogla pa gluten, proshutë të ftohtë dhe fruta.

Disa propozime të menysë

– Sanduiçë me proshutë

– Sanduiçë me djathë me feta

– Pica të ndryshme

– Toste me reçel

– Ëmbëlsira të buta me vanilje

– Biskota

– Akullore me vanilje

– Kos frutash

– Fruta të freskëta të stinës

– Lëngje frutash

– Torta e ditëlindjes

Share With:
Translate »
1386 Views