Smartphone-i parë që 10 vjeç, psikologia ngre alarmin

Fëmijët, edhe ata shumë të vegjël në moshë, nuk kanë asnjë problem të përdorin aplikacione smartphone apo tablet. Këtë mëngjes e ftuar në Wake Up, psikologia Belioza Çoku u shpreh se varësia ndaj pajisjeve teknologjike është shumë e lartë.

Ajo tha se këto pajisje janë një problem për fëmijët që i përdorin në klasa duke sjellë një shpërqëndrim shumë të madh. Por më shqetësues është fakti se nëpërmjet përdorimit të internetit, fëmijët bien pre e abuzimeve.

“Prindërit janë problemi më i madh pasi ata nuk ndihmojnë në kreativitetin e të vegjëlve duke u lënë një tablet në dorë”,- u shpreh ajo.

Një raport i “Comon Sense Media” ka marrë në shqyrtim sesi ka evoluar aksesi në pajisjet elektronike tek fëmijët nga viti 2011-2017. Rezultatet e këtij studimi tregojnë se nëse në vitin 2011 vetëm 52% e familjeve kishin në shtëpi një pajisje elektronike në 2017 kjo shifër ka shkuar në 98%.

I njëjti studim me fëmijë nga 0 – 8 vjeç thotë se fëmijët nga 9 – 12 muajsh, janë në gjendje të mësojnë dhe përdorin aplikacione pa probleme. Raporti zbuloi gjithashtu se 98% e fëmijëve të anketuar kanë në shtëpi një pajisje të lëvizshme ku kanë qasje në internet me shpejtësi të lartë.

Share With:
Translate »
896 Views