Të martohesh 12 vjeç për t’i shpëtuar varfërisë

Kur i ati i tha Halimesë se po planifikonte dasmën e saj, ajo refuzoi menjëherë.
“Babai im martoi motrat e mia dhe tashmë do të më martojë me forcë, por unë nuk e dua një gjë të tilla”, thotë Halima, 12-vjeçarja nga Jemeni.
Martesa e fëmijëve është një zakon tashmë i ngulitur në Jemen, si pasojë e varfërisë dhe kulturës së thellë konservatore.
Është një praktikë tradicionale e ruajtur në proverba si, “Martohu me një vajzë 8-vjeçare, ajo është e garantuar”, duke iu referuar virgjërisë së një fëmije, ndërsa lufta civile trevjeçare e vendit e ka përkeqësuar problemin. Sot, më shumë se dy të tretat e vajzave të Jemenit janë martuar para se të arrijnë moshën 18-vjeçare.
Por Halima është e vendosur mos të bëhet pjesë e këtyre statistikave.
“Unë jam në klasën e pestë. Dua të përfundoj shkollën dhe të bëhem një doktoreshë, me dëshirën e Zotit”, tha Halima për CNN, ende e veshur me uniformën e shkollës së saj.
“Një nga shoqet e mia e la shkollën dhe kur e pyeta përse, m’u përgjigj: Sepse nesër unë martohem”, rrëfen vajza.

Është një fat që motra e Halimas, Kafa, e kishte të pamundur ta shmangte, duke u martuar që në moshën 13-vjeçare.
“Po të kisha mundësi të zgjidhja, do të shkoja në shkollë dhe të edukohesha. Nuk doja të martohesha, por u detyrova. Nuk kishte asgjë për mua në një martesë, unë isha fëmijë”, tha ajo për CNN, ndërsa fytyrën e kishte të mbuluar me një vello.
Bashkëshorti i saj i dha leje të fliste, por vetë refuzoi të rrëfehej. Katër vite pas martesës, Kafa tashmë 17-vjeçare, ka 4 fëmijë.
“Kam vuajtur shumë në çdo lindje”, tha Kafa. Adoleshentët e rinj përballen me një rrezik shumë më të lartë të ndërlikimeve dhe vdekjes në shtatzëni sesa gratë e tjera, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Çdo lindje ndodhi përmes një operacioni kirurgjik, kam qëndruar në një shtrat spitalor prej shtatë deri në 10 ditë pas secilës lindje”, tha Kafa.

Babai i vajzave, Abdullahu, është një i papunë, i cili me fëmijët, nipërit dhe të afërmit, thotë se ka 17 gojë për të ushqyer.
Gjithnjë e më shumë, baballarët si Abdullahu janë duke martuar vajzat e tyre për t’u çliruar nga kostoja e kujdesit, duke kërkuar pagesa nga familja e dhëndrit për të përballuar vështirësitë ose për të paguar borxhet. Abdullah mori një prikë prej 2,000 dollarësh kur dha vajzën tjetër, Kafën.
Edhe pse ai e pranon se ky ishte një vendim për të cilin është penduar, kjo nuk e ka ndaluar atë nga planifikimi i martesës së Halimas, megjithëse ai ende nuk ka zgjedhur një kërkues.
Nën hijen e një pëlhure të gjelbër që mbulon oborrin e shtëpisë së tyre, Abdullahu ulet pranë Kafës, ndërsa ushqen bijat e saj dhe u kreh flokët.
“Dua që ti të më falësh që të martova në moshë kaq të re,” i tha ai Kafës.
“Unë kisha nevojë për para për të mbështetur familjen tonë, unë ju martova në mënyrë që motrat dhe nëna juaj të mund të jetojnë. Kështu që unë kam qenë i detyruar të zgjidhja, tani po kërkoj faljen tuaj”.
Shumë prindër të Jemenit po përballen me këtë realitet të zymtë: mbledhin dhurata për vajzat e tyre për të paguar për ushqim dhe kujdes shëndetësor, ose lënë fëmijët e tjerë të vuajnë.

“Çmimet e ushqimeve janë rritur me 200 për qind dhe kostoja e jetesës është rritur me të paktën një të tretën, kështu që shumë vajza janë dhuruar nga familjet”, tha Nadine Drummond, zëdhënëse e ‘Save the Children’ në Jemen. Rreth 2 milion fëmijë po vuajnë nga kequshqyerja akute në Jemen, sipas UNICEF-it, dhe një miliard njerëz janë goditur nga kolera. Të dyja këto janë kushte lehtësisht të parandalueshme që vijnë nga lufta.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 5.500 civilë janë vrarë në Jemen që nga marsi i 2015-ës, kur një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një fushatë ushtarake kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani.
Për shkak të kufizimeve në kufij, të cilët janë mbyllur krejtësisht, ndihmat dhe karburantet janë të pakta. Rreth 11.3 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare, dhe 8.4 milionë janë vetëm “një hap larg” nga uria, sipas Kombeve të Bashkuara, shkruan Tirana Today.
Të gjithë këta faktorë kanë intensifikuar problemin e martesave të fëmijëve, të cilat kanë qenë prej kohësh një ‘kamzhik’ në Jemen. Me një luftë civile dhe një qeveri thuajse jo funksionale, nuk ka gjasa që të ndryshojë gjithçka ligjërisht për nuset fëmijë të Jemenit.

Kështu, fëmijët po martohen më të rinj. Rreth 44% e vajzave tani janë martuar para ditëlindjes së tyre të 15-të, sipas një sondazhi të kryer nga UNICEF, shkruan Tirana Today.
Trendi është në rritje, me vajzat e reja që martohen nëntë vjeçe. Nuk ka vende pune në vend, nuk ka bujqësi. Sistemi, sistemi shëndetësor dhe sistemi arsimor janë shembur ose gati për t’u shembur.
Pas 3 viteve në luftë, familjet që janë zhytur në varfëri dhe pasiguri ushqimore tani po përdorin masa të dëshpëruara për të mbijetuar.
“Fatkeqësisht, shumë jemenas e shohin martesën e hershme si virtyt dhe lufta e ka bërë atë më keq”, tha Ahmed Al-Qureshi, një aktivist i të drejtave të fëmijëve jemenas.
Abdullahu tha se ishte i vetëdijshëm për ëndrrat dhe aspiratat e vajzave të tij, por nuk ka zgjidhje tjetër.
“Ka një luftë dhe raketat po fluturojnë mbi kokat tona, shtëpitë po shemben, shtëpia jonë tundet sa herë që ka një sulm ajror, kështu që çfarë mund të bëj? Unë nuk kam asnjë mundësi, përveçse të martoj vajzat e mia”.

Kafa dëshiron një fat të ndryshëm për katër vajzat e saj dhe për motrën e saj të vogël: një arsim, një shans për një të ardhme më të mirë, një zgjedhje, shkruan Tirana Today.
“Ato do të martohen kur të duan, jo kur të dua unë… Unë kurrë nuk do t’i martoj ato në një moshë të re,” tha Kafa.
Por, ndërsa lufta vazhdon, mundësia e ndjekjes së një edukimi duket e zymtë. Rreth 2 milion fëmijë nuk po shkollohen në Jemen, ku bombardimet e vazhdueshme kanë lënë 1.600 shkolla pjesërisht ose plotësisht të dëmtuara.
Mësuesit filluan këtë vit akademik me një grevë për të protestuar ndaj pagave të papaguara. Ata janë e vetmja gjë që mbështet sistemin arsimor të vendit, i cili është në prag të kolapsit.
Shkolla e Halimës është ende e hapur, por shumë bashkëmoshatarë të saj e kanë të ndaluar të shkojnë.

“Ne nuk duam të martohemi, ne duam të përfundojmë studimet tona,” tha Halima.
“Vajzat si unë që u martuan në një moshë të re tani po lindin fëmijët e tyre. Të gjitha këto vajza janë 11, 12, apo 13 vjeçe, janë kaq të reja. E ardhmja e tyre nuk është e sigurt, ne mund të rritemi dhe të bëhemi mësues ose mjekë dhe pastaj të martohemi. Ne menduam se kur bëhemi, 22 ose 25 vjeçe, atëherë do të martohemi, jo tani që jemi kaq të rinj”, shtoi Halima.
Përkundër gjithçkaje, Halima është akoma optimiste:
“Unë kërkoj një të ardhme të mirë, jo të përfundoj me të ardhmen e këtyre vajzave të tjera. Nuk dua të martohem”.

Share With:
Translate »
816 Views