Vajza dridhet nga të bërtiturat, përgjigjet psikologia Denata Toçe

Dua një mendim nga ju si profesionistë pasi kam shumë besim nga ju. Jam një nënë me dy fëmijë nga Jugu i Shqipërisë. Kam vajzën 11 vjeçe dhe një djalë 5 vjeç. Kemi patur kontradikta me bashkëshortin, dhe në dy raste që ne jemi zënë, vajza është dridhur për gati 10 minuta, sikur kishte shumë ftohtë. U shqetësova dhe e pyeta nëse i kishte ndodhur dhe herë të tjera. Më tha që vetëm kur më bërtet mësuesja unë dridhem dhe nuk e frenoj dot. E pyeta mësuesen dhe më tha: nuk e kam vënë re. Ju lutem më jepni një mendim.

E dashur nënë, këto situata njihen ndryshe si situata të frikës. Trupi reagon me të dridhura pasi zemra rreh më shpejt, pompon më shumë gjak që të mund ta çojë në trup, muskuj dhe trupin e bën gati që të “luftojë” ose të “iki.” Trupi i njeriut është i pajisur më këtë aftësi të mrekullueshme siç është frika. Është e rëndësishme që ne të përjetojmë frikë pikërisht që të reagojmë edhe fizikisht ndaj rrezikut. Në këtë rast, vajza juaj ndjen rrezik ndaj dhunës verbale të mësueses dhe dhunës psikologjike apo verbale tuajën. Ajo duket se ka frikë se mos mësuesja e ndëshkon dhe nga ana tjetër frikë nga konflikti juaj që mund të përshkallëzohet.

Kjo shkakton frikë dhe njëkohësisht një gjendje stresi si psikologjik edhe fizik. Kjo gjendje emocionale shprehet edhe fizikisht. Kështu vajza juaj e shpreh me dridhjen e trupit. Do të ishte shumë mirë që këto situata stresuese, të cilat nuk janë të përjetuara për herë të parë nga vajza, të mund të shmangen sa më parë të jetë e mundur. Diskutimet apo sherret nuk duhet të ndodhin në asnjë rast në sy të fëmijës. Kështu do të mund të mbroni sistemin nervor të fëmijës dhe kësisoj gjendjen emocionale të tij.

Share With:



120 Views