Vetëm gratë e vajzat mund t’i kuptojnë këto halle vere, ja ç’na ndodh të gjithave sa herë nisemi me pushime

Të jesh grua nuk është e lehtë, e megjithatë gjatë verës mund të kthehet në një torturë të vërtetë. Le të ngrenë dorën ato gra e vajza që urrejnë kolegun sa here ai fik kondicionerin, mallkojnë shoferin e autobusit kur i lë të presin në stacion, apo që shmangin me çdo kusht krehjen e flokëve dhe depilimin, ndërkohë që jashtë bën vapë përvëluese. E megjithatë ka edhe më keq, si për shembull tre rastet e mëposhtme ku vapa mund të kthehet në një makth për të gjitha ne:

1.Çfarë të marr me vete gjatë pushimeve: Në ndryshim nga burrat që mjaftohen me një palë shapka me gisht, një palë pantallona treçerekëshe për pasditen, mundësisht ato që përdorin prej 5 vitesh, dhe kostumin e banjës, një grua duhet të mendohet gjerë e gjatë përsa i përket përgatitjes së valixhes. Nuk mund të mungojë koleksioni i përvitshëm i rrobave të banjës, kremi kundra dhe pas diellit, kremi i flokëve, shampot e ndryshme, solucioni për mushkonjat, 10 peshqirë, këpucë e sandale pa fund etj. Lista është aq e gjatë, aq sa duket sikur keni transferuar gjithë garderobën tuaj në një valixhe e jo thjesht gjërat e domosdoshme. Sa punë e vështirë, apo jo!

2.Nuk do të ha shumë, duhet të mbaj dietë: Frika më e madhe gjatë pushimeve është pesha. Në të vërtetë kjo është frika më e madhe gjatë gjithë vitit, që prej momentit kur zotohemi solemnisht para bakllavasë së Vitit të Ri, e deri tek gota e fundit e tequila-s para fillimit të pushimeve. Megjithatë e dimë që është e vështirë t’i rezitosh tundimit gjatë verës, sidomos akulloreve e ëmbëlsirave. A mund të mbahet dietë gjatë pushimeve? Sigurisht që po, mjafton të kontrolloni urinë dhe racionet që porosisni.

3.Tualeti, vapa dhe vuajtja (trinomi i përvitshëm): Si dreqin mund të bësh tualet ndërkohë që jashtë shënon 40 gradë Celcius?! Vapa, djersa dhe lagështia me siguri do të bëjnë që kremi pudër të shpërhapet, duke e bërë fytyrën të duket si një mur i pasuvatuar mirë. Kurse për rimelin nuk po flasim më mirë. Epo, të shpëtojë kush të mundet moj shoqeni e motrani!

Share With:
Translate »
460 Views