Vlera e lekut mësohet që në vegjëli, mësimi që mori djali dembel nga babai i tij

Dikur jetonte një biznesmen mjaft i suksesshëm, i cili kishte një djalë dembel dhe të pakujdesshëm. Ndaj, i ati donte t’i mësonte të birit një mësim të vlefshëm mbi paranë. Ai i tha të birit: “Nga tani, ti do të hash darkë, vetëm nëse arrin të fitosh diçka i vetëm përgjatë ditës”. I biri i tij në fillim kundërshtoi duke menduar se i ati po tallej, por më pas e kuptoi se biseda ishte shumë serioze. Djali vrapoi drejt së ëmës, e cila u ndje keq për të dhe i dha një monedhë për ta mbajtur gjatë ditës, ndaj në darkën e ditës tjetër i biri ia dha të atit monedhën. Babai e kuptoi se ai s’e kishte fituar vetë monedhën dhe i tha ta hidhte në pus. Djali ndoqi udhëzimin e të atit dhe e hodhi monedhën. Atë natë, babai i shpjegoi të ëmës së djalit, pra bashkëshortes së vet se çfarë plani kishte dhe ajo nuk i dha më lekë djalit të tyre.
Ditën tjetër djali shkoi tek gjyshi, i cili u ndje keq dhe i dha një monedhë nipit të tij. Historia u përsërit. Djali ia tregoi të atit monedhën dhe i ati e udhëzoi ta hidhte atë në pus. I biri bëri po të njëjtën gjë dhe i ati i shpjegoi babait të vet, pra gjyshit të djalit, se çfarë plani kishte, ndaj ai nuk i dha më lekë nipit të tij që nga ajo ditë.
Në ditën pasuese djali nuk kishte kujt t’i kërkonte lekë dhe shkoi të kërkonte për një punë. Ai gjeti një tregtar dhe e pyeti, nëse ai mund t’i jepte një punë çfarëdo. Tregtari pranoi t’i jepte tre monedha, nëse djali do të ngarkonte me perime një kamionçinë të madhe. Djali pranoi dhe kur mbaroi gjithë punën, ndihej i lodhur dhe i mbuluar nga djersët. Ai u ndje i kënaqur dhe shkoi t’ia tregonte babait të vetë monedhat që kishte fituar. I ati e udhëzoi sërish të bënte të njëjtën gjë dhe t’i hidhte monedhat në pus, por djali nuk iu bind. Ai protestoi duke thënë se kishte punuar shumë për ato monedha dhe nuk donte t’i hidhte poshtë.
Babai buzëqeshi duke i thënë të birit: “Të lëndon të hedhësh poshtë diçka që e ke fituar vetë. Kur nuk kishe punuar për t’i fituar ato monedha, nuk ta ndjente edhe kur i hidhje poshtë ato. Tani ti e kupton vlerën e mundimit dhe lodhjes në punë”.
Ndonjëherë situatat e vështira mund të na mësojnë gjëra të vlefshme. Vlera e mundimit nuk është thjesht shpërblimi, por edhe ndjesia e plotësimit gjatë atij procesi.

Share With:
Translate »
765 Views