“10 mijë euro për fëmijë”, shikoni ç’po ndodh në fshatin finlandez pas 6 vitesh
Që prej vitit 2013, çdo fëmijë i sapolindur në fshatin më të vogël të Finlandës, Lestijarvi, “vlen” 10 mijë euro. Në atë vit, administratorët e bashkisë vendosën që të luftojnë kundër rënies së lindshmërisë dhe zbrazjes së fshatit, ku kishte lindur vetëm një fëmijë në vitet e mëparshme.
Bashkia prezantoi një stimul të emërtuar “baby bonus”: çdo banor që bënte një fëmijë, do t’i jepeshin 10 mijë euro, që do të paguheshin për 10 vjet.
Kjo dha efekte. Që atëhere 60 fëmijë kanë lindur në fshat.
Krahasuar me vitet e mëparshme, në të cilat vetëm 38 fëmijë kishin lindur, bebet e reja konsiderohen një zhvillim i rëndësishëm në fshatin që ka më pak se 800 banorë.
Përfituesit e bonusit të bebes Jukka-Pekka Tuikka dhe bashkëshortja e tij Janika punojnë si sipërmarrës në sektorin bujqësor. Vajza e tyre e dytë, Janette, lindi në vitin 2013 dhe kjo ka bërë që ajo të marrë pseudonimin “vajza 10 mijë euroshe”.
“E kishim planifikkuar një fëmijë të dytë prej kohësh dhe po plakeshim. Ndaj nuk mund të them, se paratë realisht kanë influencuar në vendimin tonë për të pasur një fëmijë tjetër”, shprehet Tuikka.
Deri tani Tuikka ka kursyer pjesën më të madhe të 6 mijë eurove që ka marrë deri më tani dhe së bashku me 4 mijë euro e tjera, ai planifikon t’i përdorë në një mënyrë që vajza e tij të përfitojë në të ardhmen.
Tashmë edhe bashki të tjera finlandeze kanë prezantuar bonuse për bebe që variojnë nga qindra deri në mijëra euro.
Gjithsesi, pavarësisht këtyre stimujve, lindshmëria në Finlandë është ende në nivele shumë të ulëta. Ashtu si në shumë vende të tjera evropiane, lindshmëria ka rënë në ritme të frikshme.
Finlanda ofron shumë përfitime për familjet që lindin fëmijë, që nga ‘baby-box’ i famshëm me veshje e sende për beben deri te kuota e parave mujore që varion te 100 euro në muaj për fëmijë ashtu sikurse edhe leja e lindjes për prindërit deri në 9 muaj.
Por edhe pse Finlanda po shpenzon më shumë para për këtë qëlim sesa mesatarja evropiane, ekspertët e shkencave sociale kanë mendimin se vendi i tyre po shpenzon shumë më pak sesa vendet e tjera nordike, si për shembull Suedia që është shumë më bujare.
Arsyet e rënies së lindshmërisë janë të ndryshme. Por a është dhënia e stimujve financiarë një mënyrë për të rritur përqindjen e lindshmërisë?
Sipas Ritva Natkin, lektor i shkencave sociale në ‘Tampere University’, rritja e stimujve financiarë për familjet mbase mund të ndihmojë në rritjen e lindshmërisë në ndonjë drejtim, por që gjithsesi ka dyshime nëse vetëm kjo do të ndikojë për një bum lindjesh.
Sipas tij, rënia e lindshmërisë nuk lidhet vetëm me pamundësitë financiare të familjeve, por edhe me ndryshimin e sjelljes kundrejt të pasurit fëmijë.