VIP-at shqiptarë duan ‘Fëmijë me kontratë’: Trend provokues apo rrezik shoqëror?
Në javët e fundit, disa personazhe të njohura të ekranit – mes tyre Arjan Curri (LEXO KËTU), Bledi Mane (LEXO KËTU) dhe së fundmi Lei Kraja (LEXO KËTU)– kanë hedhur në publik idenë e sjelljes në jetë të një fëmije “me kontratë” me kolegët e tyre. Deklarata të tilla, të shoqëruara me diskutime të lehta televizive dhe replikime në rrjete sociale, kanë ngjallur reagime të forta, duke hapur një debat mbi atë se çfarë po përpiqet të normalizohet nën petkun e “trendeve moderne”.
Por çfarë do të thotë realisht “fëmijë me kontratë”? A është kjo një zgjedhje individuale që duhet respektuar apo një rrezik i qartë që shoqëria nuk duhet ta gëlltisë me aq lehtësi?
Në deklaratat e tyre, figurat publike kanë përmendur idenë e të pasurit një fëmijë “pa romancë, pa marrëdhënie klasike, por me marrëveshje” – një lloj partneriteti prindëror vetëm në letër. Kjo formulë paraqitet si zgjidhje praktike për njerëzit që nuk duan marrëdhënie, por duan fëmijë; si një model i ri “bashkë-prindërimi” ku kujdesi ndahet sipas kontratës dhe jo sipas jetës së përbashkët.
Në teori, tingëllon moderne. Në praktikë – hap një sërë dilemash të mëdha etike, psikologjike dhe ligjore.
Pse ky trend është shqetësues?
1. Prindërimi nuk është kontratë – është marrëdhënie njerëzore
Marrëdhënia e prindit me fëmijën nuk mund të reduktohet në klauzola ligjore. Fëmija nuk lind për t’iu përmbajtur kushteve të nënshkruara mes dy të rriturve. Jetesa, emocionet, rritja, krizat, sfidat – nuk mund të menaxhohen si një kontratë biznesi.
Kur prindërimi bëhet projekt logjistik, rrezikon të humbasë esencën: përkushtimin emocional dhe kujdesin e ndershëm.
2. Rrezikon stabilitetin emocional të fëmijës
Psikologët theksojnë vazhdimisht se fëmijët kanë nevojë për:
- ritëm të qëndrueshëm jetese
- figurë prindërore të përfshirë dhe të sigurt
- harmoni emocionale
- komunikim të shëndetshëm familjar
Një marrëdhënie e bazuar në kontratë, sidomos mes dy personave që nuk kanë lidhje afektive, krijon rrezik:
- për konflikte të mëvonshme
- dinamika të ftohta prindërore
- ndarje të paqartë rolesh
- mungesë bashkëpunimi emocional
Nëse dy të rritur nuk ndajnë marrëdhënie, si do t’i mësojnë fëmijës bashkëpunimin, afërsinë, durimin dhe dashurinë?
3. Shembull i keq për rininë
Kur figura të njohura të ekranit hedhin ide të tilla, ato normalizojnë një realitet që nuk është aspak i padëmshëm. Të rinjtë, të ekspozuar ndaj këtij diskursi, mund ta shohin prindërimin si një:
- kapërcim trendi,
- një zgjidhje praktike,
- një projekt personal.
Por fëmija nuk është projekt. Fëmija është indivit i mëveçëm. Dhe jeta nuk mund të vihet në kontekst show-biz-i apo eksperimentesh sociale.
4. Objektivizimi i të sjellurit në jetë
Deklaratat krijojnë përshtypjen se fëmija është produkt që prodhohet “me marrëveshje”. Kjo qasje e zhvesh fëmijën nga humaniteti dhe e shpërfytyron konceptin e familjes.
5. Paqartësi ligjore – asgjë e këtij lloji nuk është e parashikuar në kodet tona
Kodi i Familjes në Shqipëri nuk njeh asnjë formë të tilla marrëveshjeje.
Kontratat e këtij lloji:
- nuk janë të vlefshme ligjërisht
- bien ndesh me të drejtat e fëmijës
- cenojnë parimin e përgjegjësisë prindërore
- nuk mbrojnë askënd në rast konflikti
Në mungesë të një kuadri juridik, këto deklarata nuk janë vetëm të papjekura – janë të rrezikshme.
A është kjo emancipim apo provokim i pamenduar?
Mund të ketë nisur si provokim televiziv, si përpjekje për të thyer tabu ose për të krijuar audiencë. Por kur bëhet fjalë për fëmijë, provokimi nuk është formë emancipimi. Është shfrytëzim i një teme shumë të ndjeshme për efekt publiciteti.
Shqetësuese është se diskursi transmetohet si ide “cool”, si shenjë pavarësie, ndërsa në fakt është shenjë moskuptimi të thellësisë së prindërimit.
Jo çdo trend është progres!
Shoqëria mund të modernizohet, marrëdhëniet mund të evoluojnë, familjet mund të marrin forma të ndryshme – dhe kjo është normale. Por moderniteti nuk nënkupton zhvlerësimin e familjes, as minimizimin e rolit të prindit në jetë të fëmijës.
Të sjellësh në jetë një qenie njerëzore nuk është trend, as eksperiment social, as “kontratë”.
Është përgjegjësi që kërkon stabilitet, dashuri, përkushtim dhe vlera.
Dhe kjo, pavarësisht emrave të famshëm që mund ta thonë në televizion, nuk ndryshon kurrë. /Kids’Time/
Sashenka NDREKA