18 vjeç, nënë e 2 vajzave, pa shtëpi/ I shpëtoi dhunës së bashkëshortit, po shtëpia është shkatërruar nga tërmeti
Xhesjana është 18 vjeç dhe nënë e dy vajzave të mitura. Pas dhunës nga bashkëshorti është kthyer te familja e saj në Rrashbull të Durrësit ku prindërit dhe vëllai i vogël jetojnë ende në çadër.
”Kam ardh të jetoj te familja ime për shkak të dhunës nga bashkëshorti. Është e vështirë, pasi as del dot të punosh e të rrisësh fëmijët. Duan kushte dhe ushqim. Fëmijët dhe sëmuren. Duan lekë t’i çosh në spital.”
Që nga tërmeti i 26 nëntorit, Familja është e pastrehë dhe pse u ishte premtuar se ky vit do t’i gjente në shtëpinë e re.
Gëzime Maimari: ‘Marrim bonus po për shkak të pandemisë e kemi të pamundur me marrë shtëpi me qira. Do ushqehesh apo do paguash qira dhe drita?!” ”Është viti i tretë që jetojmë jashtë në këto kushte.”
Netët janë ftohur dhe dimri po afron, ndaj 18-vjeçarja kërkon të përshpejtohet rindërtimi.
”Nuk jetohet kështu me dy fëmijë. Edhe vëllai është i vogël. Në shkollë. Kërkojmë ndihmë nga shteti që të na e bëjë shtëpinë.”
Ditët e fundit u kanë dhuruar një konteinier, ndërsa fundjava sjell të tjerë miq në familjen e saj. Përfaqësues të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë kanë ardhur për t’i ndihmuar dhe apeluar që të mos harrohen familjet e dëmtuara nga tërmeti.
Aurora Dollenberg, mjeke ; ”Ne si federatë e mjekëve jemi këtu që të ndihmojnë sado pak një familje reale me një fat 100% tragjik dhe duam të bëjmë thirrje për kolegët, institucionet qeveritare dhe joqeveritare që të përkujdesen jo vetëm për fokuse si pandemia e tema që ngjallin polemika, por për njerëzit konkret që janë shumë afër Tiranës.”
Në këto kushte, Xhesjana po mendon si të ndryshojë dhe jetën e saj dhe të bëhet një ditë shembull për vajzat e saj.
”Do mundohem që të shkollohem dhe të bëj një kurs, të marr zanat dhe të punoj për gocat e të paktën shpenzimet e mia t’i heq.”
Ndërkohë mjekja e familjes apelon për më shumë vëmendje ndaj njerëzve në nevojë.
Esmeralda Babamusta, mjeke familjeje: ”Shumë e rëndësishme është të japim kontributin tonë të gjithë. Sado i vogël qoftë sepse lumturon një familje. Për ne ndoshta është pak, po për dikë tjetër është shumë. Kush ka privilegjin të dijë, ka detyrimin të reagojë dhe të përgjigjet.”