24 vite pa i kthyer borxhin, motra i kërkon falje vëllait: Do t’i shlyej një ditë!

Gjithnjë e më shumë në familjet shqiptare dëgjojmë për grindje e deri konflikte për çështje pronësie apo parash. Por historia e rrëfyer këtë të dielë tek “Ka një mesazh për ty” në televizionin Klan ishte krejt e kundërta e kësaj. Besnike Kurti kishte ardhur për t’i bërë një mesazh falenderimi por edhe kërkesë për falje vëllait të saj Skënder Xhepa i cili prej 24 vitesh e ka ndihmuar të blejë shtëpinë dhe asnjëherë nuk i’a ka kërkuar paratë mbrapsht. Madje ai as nuk i ka quajtur “borxh” ato para të cilat i’a ka dhënë motrës në një moment shumë të vështirë për të. Në vitin 1996, Besnikja me bashkëshortin dhe dy vajzat u zhvendosën në Kamëz në një shtëpi me qera për shkak të përmbytjes së banesës nga Bovilla. Në pritje të dëmshpërblimit që nuk e morën kurrë deri më sot, motra i kishte kërkuar vëllait gjashtë milionë lekë të vjetra që të blente një shtëpi. Fillimisht Skënderi kishte hezituar sepse donte t’i fuste tek firmat piramidale me shpresën se do shumëfishoheshin por nga këmbengulja e Besnikes ato kishin shkuar për blerjen e shtëpisë. Që nga ajo periudhë, Besnikja vazhdon të jetojë në atë shtëpi por pa harruar për asnjë moment faktin se u ble me paratë e Skënderit. Nuk ka mundur asnjëherë t’ia përmendë e as t’i thotë faleminderit. Nga ana tjetër edhe Skënderi është treguar fisnik e bujar duke mos i rënë në sy. Por kjo ka qenë një brengë e madhe për motrën e cila jetonte çdo ditë me shpresën se mund t’ia shlyente një ditë këtë borxh. Vëllai është ndier i prekur kur ka parë Besniken në studio dhe i ka vënë “kapak” këtij diskutimi duke u ndier i lumtur për faktin qe me ato para ka strehuar motrën pa pasur nevojë që t’i marrë borxh diku tjetër. Megjithatë motra i ka premtuar se një ditë, mbase fëmijët e saj do e shlyejnë atë borxh. Një shembull pozitiviteti për t’u ndjekur. Paratë vërtetë janë të domosdoshme por harmonia në familje është një vlerë e paçmuar.

Share With:
Translate »
1084 Views