3-vjeçari kishte probleme me zemrën, babai i kundërpërgjigjet mjekut!
Një ditë pas publikimit të ngjarjes së rëndë, ku 3-vjeçari Brian Spahiu humbi jetën si pasojë e ndërhyrjes kirurgjikale në një klinikë dentare, ka reaguar dhe babai i të miturit.
Babai i 3-vjeçarit, Bledar Spahiu ka treguar se i mituri është nxjerrë në gjendje të rënduar nga klinika dentare, pas ndërhyrjes në dhëmbë që i bëri mjeku, Roland Xhaxho.
Ndër të tjera, babai mohon që 3-vjeçari të kishte probleme me zemrën ku dhe ka bërë publike recetën nga mjeku kardio-pediatër. Ai thekson se fëmijën e ka çuar në klinikën dentare pasi iu konfirmua se nuk është problem që i mituri të kryente ndërhyrjen në gojë.
Kujtojmë se në deklaratën e tij, mjeku shprehej se familjarët kishin firmosur për procedurën dhe kishin rënë dakord që ndërhyrjet në dhëmbë të kryheshin të gjitha në të njëjtën ditë, pasi rrezikonte nga përhapja e infeksionit.
Ai ka thënë se fëmija dy vite më parë ishte operuar nga një ndërhyrje në zemër, dhe infeksioni mund ta rrezikonte.
“Fëmija kreu në klinikë procedurat detare nën anestezi të përgjithshme ashtu siç ishim sqaruar me prindërit të cilët kanë firmosur edhe konsensusin. Pse u zgjodh kjo mënyrë trajtimi? Sepse djali ka lindur me defekt në zemër për të cilin është operuar rreth 2 vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatre infeksioni te këta fëmijë sepse shkakton infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seance në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve. Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij. Në shtëpi, djalit i janë dhënë ilaçet e rekomanduara nga ne, kështu që fëmija patjetër që ka qenë i zgjuar.
Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT bashkë me kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës. Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do e kenë më, por nga ana ime profesionale garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment”, shprehej mjeku