4 këshilla për të qetësuar një fëmijë nevrik
Si sillet një fëmijë nevrik apo tekanjoz? Kjo pyetje është e rëndësishme, sepse shumë prindër ankohen se kanë fëmijë të lëvizshëm dhe e interpretojnë “energjinë” e tyre si hiperaktivitet. Por kujdes, fëmijët duhet të jenë aktivë! Është mëse normale. Sidoqoftë, ka fëmijë që janë më nervozë, të shqetësuar e të lëvizshëm se të tjerët, të cilët nuk mund të qëndrojnë një çast në një vend dhe që kanë nevojën që ta “shkarkojnë” këtë energji të tyren, pasi në të kundërt inatosen në mënyrë të tepruar.
1) Kufizoni përdorimin e pajisjeve elektronike
A e dinit që televizori, videolojërat, telefonat celularët, tabletët, janë pajisje që ngacmojnë koren e trurit, duke ruajtur te fëmija nivelin e eksitimit gjithnjë të lartë? Ndaj është e rëndësishme të kufizoni në minimum përdorimin e tyre. Bashkë me fëmijët, caktoni kohën e përditshme kur ata duhet t’i përdorin këto pajisje dhe mos e tejkaloni asnjëherë orarin.
2) Krijoni një rutinë në stilin e jetesës
Fëmijët kanë nevojë për rutinën dhe rregullat. Sa shumë i urrejnë rregullat, po aq shumë kanë nevojë për to dhe kjo sepse:“Rregullat janë ato shtylla që shenjojnë rrugën që fëmijët duhet të ndjekin për të mos u përplasur”.
Ndaj caktoni orare dhe rregulla që përmbajnë një stil jetese të shëndetshme. Për shembull: mos i lejoni të hanë në krevat apo mos i lejoni që të flenë në orën një të natës.
3) Kaloni kohë cilësore me fëmijët
Kjo shoqëri na shtyn të vrapojmë nga një detyrë në tjetrën, shpesh duke na i përthithur të gjitha energjitë. E kështu, jemi të lodhur, me pak dëshirë për të qëndruar së bashku, sepse gjëja e vetme që dëshirojmë është të shtrihemi për t’u çlodhur. Por duhet të mësojmë se si të gjejmë gjithmonë momente për t’ia kushtuar familjes, momente jo shumë të gjata, por që të jenë cilësore.
Mund të bëni një ëmbëlsirë me fëmijët, një shëtitje të kapur dorë për dore, mund të shkoni në një vend të veçantë. Krijoni kujtime të bukura, të shëndetshme, të mbushura me dashuri, sepse dashuria është një nga armët më të mira për të qetësuar shpirtrat e shqetësuar.
4) Fëmijët duhet të bëjnë sport
Fëmijët hiperaktivë, që nuk rrinë një çast në një vend, kanë një nevojë fiziologjike për të shkarkuar energjinë e grumbulluar. Një mënyrë e mirë është që ta kanalizoni këtë energji të tyren në një aktivitet sportiv. Futboll, not, karate… nuk ka rëndësi se në cilën disiplinë, mjafton që këtë aktivitet ta bëjnë me dëshirën e me entuziazmin që i karakterizon fëmijët.