6-vjeçari qëlloi mësuesen me armë në gjoks në një shkollë në Virxhinia, avokatja: Tragjedi e paralajmëruar

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në një shkollë në Virxhinia ku një mësuese është qëlluar me armë nga një fëmijë 6-vjeçar. Mësuesja, 25-vjeçarja Abigail Zwerner ka dalë nga spitali javën e kaluar pasi u qëllua në gjoks më 6 Janar.

“Kjo tragjedi ishte tërësisht e parandalueshme”, tha avokatja e saj që synon të ngrejë një padi.

Nga ana tjetër, Policia nuk ka bërë të ditur asnjë akuzë.

Të shtënat e 6 Janarit tronditën qytetin e Newport News të Virxhinias dhe ngritën pikëpyetje se cilat pasoja ligjore mund të pasojnë dhe në drejtim të kujt.

“Atë ditë, administrata e shkollës u paralajmërua nga mësuesit dhe punonjësit e shqetësuar se djali kishte një armë në shkollë me të cilën po kërcënonte njerëzit”, tha avokatja e mësueses së plagosur, Diana Toscano duke pretenduar se stafi i shkollës është paralajmëruar për rrezikun.

Sipas avokates Toscano, një mësuese në shkollën fillore Richneck i tha një zyrtari se besonte se i mituri kishte futur armën në xhep para se të dilte për pushim.

Zyrtari dyshohet se është përgjigjur: “Epo, ai ka pak xhepa”.

Avokatja po ashtu pretendon se një tjetër administrator ka injoruar kërkesën e një mësuesi për të kontrolluar djalin dhe çantën e shpinës së tij.

Pretendimet e avokates Toscano përforcohen nga mesazhet me tekst të shkëmbyera mes mësuesve të shkollës dhe të marra nga “Washington Post”. Sipas mesazheve, mësuesja Zwerner kishte ngritur shqetësimin për 6-vjeçarin dhe kishte kërkuar ndihmë.

Javën e kaluar, familja e të miturit tha se ai vuante nga një “aftësi e kufizuar akute” dhe rrallëherë ka ndjekur shkollën pa praninë e njërit prej prindërve të tij. Ditën e të shtënave ai kishte qenë në shkollë i vetëm, pa prindërit e tij.

Familja shprehu vlerësim për mësuesen Zwerner, duke thënë se ajo kishte “punuar me zell dhe dhembshuri për të mbështetur familjen e tyre”.

Shefi i policisë së Newport News, Steve Dreë ka deklaruar se mësuesja Zwerner kishte shpëtuar jetë në ditën e të shtënave duke i nxjerrë nxënësit e saj nga klasa pasi u qëllua në dorë dhe në gjoks.

Policia tha gjithashtu se arma e përdorur nga djali ishte blerë ligjërisht nga nëna e tij. Familja e djalit tha se arma ishte “siguruar”, por policia nuk i është përgjigjur këtij pretendimi të familjes të së miturit.

Ligji i Virxhinias ndalon këdo që të lërë në mënyrë të pakujdesshme një armë zjarri të mbushur dhe të pasiguruar në atë mënyrë që mund të rrezikojë një fëmijë nën 14 vjeç.

Share With:
Translate »
97 Views