Oriela Nebijaj flet për babain e ndjerë: Ne ishim në shtëpi 5 gra dhe kishim një mbret
E ftuara e radhës në emisionin e pasdites “Rudina” ishte moderatorja e njohur, Oriela Nebijaj. Përgjatë intervistës ajo tregoi për marrëdhënien e saj me familjen dhe në veçanti me dy motrat. Ato vendosën ta surprizonin moderatoren duke i ardhur në studio. Motrat u shprehën se janë miket më të mira të njëra-tjetrës dhe ndajnë çdo gjë mes tyre.
Kur foli për fëmijërinë dhe momentet më të bukura në jetë, Oriela u ndal të tregonte për të atin e saj të ndjerë.
“Babai im ka qenë sportiv ashtu siç jam edhe unë. Vera për ne ka qenë nga momentet më të bukura. Çdo verë shkonim në plazh bashkë, nuk mbaj mend asnjëherë që babai im të shkonte me shokët dhe të na linte ne. Ishim ne përpara gjithçkaje. Gjithçka ishte dedikim për ne aq sa ne nuk i shqiteshim kurrë kur ishim në shtëpi. Kur shkonim në plazh mbaj mend që hyrjen e parë në det e kishim të dy dhe ai më merrte hopa sado që unë të isha rritur, kjo nuk bënte asnjëherë diferencë. Ai ka qenë shtatlartë dhe me fizik të madh. Babai nuk jeton më, janë bërë thuajse 5 vite që është ndarë nga jeta me një sëmundje të keqe që as nuk do doja ta përmendja sepse është bërë kaq e shpeshtë ta dëgjojmë saqë më shqetëson. Kur e ke jetuar dhe e di çfarë është, je edhe më sensitive ndaj kujtdo tjetër që mund të ketë një fat të keq. Ne ishim në shtëpi 5 gra dhe kishim një mbret që na bënte të lumtura të gjithave pa ndalim. Ai ishte shok, partner, me të mund të debatoje, të luaje, me të kërcenim të gjitha bashkë sa herë që dilnim. Kam kujtime pafund, më ka lënë kaq plot saqë as nuk e mendoj që nuk e kam, më duket sikur është me mua”, tha moderatorja
Momentalisht Oriela prezanton emisionin e mëngjesit në “Top Channel” dhe u shpreh se hapi I radhës do të jetë hapja e një biznesi./revistawho.com