Aktori i madh shqiptar feston për herë të parë ditëlindjen pas 78 viteve jetë me miqsh dhe familjarësh
78-vjetorin aktori i njohur shqiptar, Reshat Arbana, festoi ditëlindjen e tij të parë mes familjarëve, të afërmen, miqve dhe kolegëve.
Aktori i shquar i teatrit dhe kinematografisë, me interpretimin mjeshtëror u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.
Në mbrëmjen festive me zërin e tij kumbues para të ftuarve u shpreh mes emocionesh se kjo është ditëlindja e parë që po e festoon.
Reshat Arbana: “Asnjëherë nuk kam festuar përvjetor sepse nuk i dua, më krijojnë emocione shumë të mëdha. Për burrin qenka trimëri e madhe të bëhet 78 vjeç por është edhe mjerim i madh kur mendon se ku do ikim mbas këtyre viteve që po kalojmë.”
Një tjetër sekret mes miqsh u zbulua gjatë kësaj mbrëmje. Në tryezen e familjes së aktorit, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro zbuloi se pse Reshat Arbana zgjodhi të bëhëj aktor.
Mirela Kumbaro: “Një sekret unë e mësova pse u bë aktor, për tu mos u bërë marinar.”
Një tjetër politikan ngriti dolli sipas zakonit për shëndetin e Baca Reshat, siç preferoi ta quajë kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.
Erion Veliaj: “Dollinë e parë e kam për të. Të paçim, shëndet, mbarësi, energji e pozitivitet gjithë jetën.”
Në kinematografinë shqiptare Reshat Arbana nisi të luante role në vitin 1963, ndërsa në vitin 1977 u bë pjesë e trupës së aktorëve të Teatrit Kombëtar. Për rolet e Dajlan Beut tek “Kush vdes në këmbë” dhe Kryetarit të Këshillit tek “Kur hapen dyert e jetës” ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit. Në 2011 Presidenti i Republikës i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit”.