8 ide kreative si t’i bëni të paharrueshme festat e para të bebit
Nëse kjo është Krishtlindja e pare edhe për bebin tuaj, frymëzohuni nga ky shkrim për t’i bërë ato të paharrueshme. Ju duhen shumë pak gjëra…
1.Veshja është kryesorja, është gjysma e atmosferës. Për fat, sot në dyqanet për fëmijë mund të gjesh rroba me tematikë Krishtlindjeje. Ka për të gjitha moshat, edhe për fëmijë nga 0-3 muaj.
2.Blej ose përgatit diçka të personalizuar. Si p.sh, një top për t’u varur në pemë, me emrin e bebit, ose ku të shkruhet “Krishtlindja ime e parë”. Atë mund ta ruani dhe ta vendosni çdo vit në pemë për zbukurim, si kujtim nga viti i parë i jetës së bebit.
3Krijo një album fotografik në pemë. Merr një foto të këtij viti të bebit tënd, vendose në një kornizë të vogël dhe vare në bredh. Bëj të njëjtën gjë Krishtlindjen tjetër dhe kështu, vit pas viti, do kesh krijuar një “album fotografik festiv” për fëmijën tënd.
4.Mos harro çorapen. Ajo është një nga simbolet e festave dhe nuk duhet të mungojë kurrsesi në Krishtlindjen e parë. Ju mund ta gjeni atë të gatshme, ose mund ta krijoni me çorapen e bebit. Mjafton t’i shtoni me qëndisje emrin e tij dhe vitin.
5.Dhuroji fëmijës tënd një kafshë pelushi festiv. Mund të jetë një Babagjysh apo një arush, mjafton të ketë diçka të kuqe a ndonjë detaj që e lidh atë me atmosferën festive.
6.Bëj diçka për përdorim të përditshëm. Si p.sh, një batanije të qepur vetë me motive festive dhe fotot e bebit të printuara në copë, ose një grykore me të cilën mund ta ushqesh atë gjatë gjithë dhjetorit. Kjo krijon atmosferë në çdo moment dhe të kujton se në ç’muaj të bukur je.
7.Bëji sa më shumë foto bebit. Ai do të jetë i veshur si elf, ose si Babagjysh dhe kjo do jetë diçka unike. Ose mund ta fotografosh pranë pemës apo dhuratave ngjyra-ngjyra. Gjithçka që ka lidhje me festën, për të pasur kujtime origjinale.
8.Shkruaji një letër fëmijës tënd. Ndonëse do të duhet të kalojë shumë kohë përpara se ai të mund ta lexojë, ky do të jetë një kujtim i mrekullueshëm për të ardhmen. Mos harroni të përmendni në letër se sa të lumtur jeni që po festoni Krishtlindjen e parë me të dhe se bebi është dhurata më e bukur që mund të merrnit për festa.