Kryeministri Rama: Gjuhë angleze që në klasën e parë
Kryeministri Edi Rama vijoi këtë të martë me prezantimin e programit të Partisë Socialiste për Arsimin, “Shkolla dhe universiteti në planin e veprimit 2021-2025”. Teksa ripërsëriti se në mandatin e tretë pagat e mësuesve do të rriten me 40 përqind, ai prezantoi disa prej pikave të vizionit socialist për shkollat.
“Ne nuk vijmë sot në fushën e kësaj ndeshjeje me një menu dëshirash për të gjithë, “Kap Ça të Kapësh”, të quajtur plan elektoral, por vijmë me një plan veprimi të studiuar mirë, është konsoliduar dhe është aty për t’u zbatuar me të gjithë mbështetjen financiare të përllogaritur. Ne nuk jemi KÇK, por jemi qeveria sot dhe qeveria nesër e Shqipërisë. Gjuha angleze do të nisë të mësohet kudo në të gjitha shkollat e vendit që në klasë të parë në të gjithë Shqipërinë. Është koha që të gjithë fëmijët të mësojnë anglishten dhe gjuhën bazë të komunikimit dixhital nga ana tjetër. Vizioni “Shqipëria e ardhmja jonë” kërkon që qysh sot të fillojmë të pajisim brezin tjetër me dijet bazë të të dyjave si dhe ta zhdërvjellësojmë hap pas hapi sistemin tonë arsimor në shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Bazuar në modelin e parë të ngritur në Tiranë i cili do të zhvillohet më tej tek Piramida e diktatorit, e kthyer në një epiqendër të Shqipërisë së të ardhmes, ne do të çelim programin e parë 10-vjeçar të kodimit, për fëmijët 12-18 vjeç dhe do të hapim për ta qendra të dedikuara të hyrjes në botën dixhitale. Jo në iPhone dhe iPade, por në botën dixhitale ku fëmijëve do t’u prezantohen themelet e saj, do t’u mësohet graviteti i saj, do t’u jepen njohuri për ndërveprimet brenda saj. Qendra e parë është kjo e Tiranës, të tjerat do të ngrihen në Shkodër, Dibër, Vlorë, Korçë, Kukës, Berat dhe hap pas hapi do ta shtrijmë në krejt Shqipërinë. Gjithashtu do të çelim programin e parë të arteve dhe zejeve për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme, për të ushtruar mendjen dhe duart përmes krijimtarisë në përpjekjen e domosdoshme jetike, si detyrim që ua kemi fëmijëve tanë që bota e telefonave dhe ipadëve mos të marrë peng mendjen shqisat dhe trupat e tyre. Edukimi fizik do të zenë një vend më të rëndësishëm në jetën e sistemit tonë arsimor, nga klasa e parë deri në universitet”.
Rama tha gjithashtu se do të ketë një profil të ri të drejtuesve të shkollave. Po ashtu sipas tij do të marrë fund mësimi me dy turne.
“Këtu kemi trashëguar një boshllëk të madh. Shkollat u kthyen në kulla ku emëroheshin si roja dhe kryeroja e kullës, militantë dhe ku padyshim ka pasur dhe ka plot njerëz të mirë dhe të dedikuar që vijnë nga mësuesia. Të drejtosh një shkollë për Shqipërinë se ardhmja jonë do të thotë shumë më tepër se kaq, do të thotë të menaxhosh një sistem të një qendre komunitare. Kemi nisur këtë proces me shkollën e drejtorëve. Është instaluar në Shqipëri dhe po jetësohet hap pas hapi. Deri në vitin 2025 të gjithë drejtuesit e shkollave do të licencohen nga Shkolla e Drejtorëve si menaxherë të kualifikuar për të drejtuar një qendër komunitare ku mësimi, aktivitete jashtëshkollore, komuniteti, janë bashkë. Mandati i tretë do të sjellë fundin e mësimit me dy turne për shkak të mungesës së klasave. Eksperienca e krijuar gjatë pandemisë do të kthehet në bazë për mbyllje përfundimtare edhe të praktikës së vjetër të klasave kolektive”.