Rreth 40 mijë fëmijë amerikanë kanë humbur njërin prind nga Covid-19!
Më shumë se 40,000 fëmijë amerikanë kanë humbur një prind nga Covid-19 dhe ndikimet afatgjata mund të jenë të mëdha, paralajmërojnë ekspertët. Amerikanët nën moshën 65 vjeç përbëjnë rreth 1 në 5 vdekje nga kovidi. Prej tyre, rreth 15% përfshijnë dikë në të 40-at. “Në këto grupe të moshave më të reja, një numër i konsiderueshëm i njerëzve kanë fëmijë, për të cilët humbja e një prindi është një sfidë potencialisht shkatërruese,” tha Ashton Verdery, një profesor i asociuar i Sociologjisë, Demografisë dhe analizave të të dhënave sociale në Universitetin Shtetëror të Penn-it.
Duke përdorur një model statistikor për të vlerësuar se sa fëmijë kanë humbur një prind nga Covid-19 që nga shkurti i vitit të kaluar, studiuesit thonë se tre të katërtat janë në adoleshencën e tyre dhe pjesa tjetër janë fëmijë të moshës së shkollës fillore.
Ky realitet është më i tmerrshëm për familjet me ngjyrë të cilat janë goditur veçanërisht rëndë nga pandemia, thanë studiuesit. Nga ata që kanë humbur një prind, rreth 20% janë fëmijë me ngjyrë edhe pse vetëm 14% e fëmijëve të kombit janë me ngjyrë. Në krahasim, numri i fëmijëve që humbën një prind nga Covid-19, është rreth 13 herë më shumë se 3,000 fëmijë që kanë humbur një prind në sulmet e kullave binjake në vitin 2001. Verdery tha se fëmijët që kanë humbur prindërit në pandemi janë në rrezik më të lartë për depresion traumatik të zgjatur, rezultate më të ulëta në shkollë, pasiguri ekonomike dhe vdekje aksidentale ose vetëvrasje. Dhe humbjet e kovidit vijnë në një kohë kur fëmijët mund të përballen me sfida të tjera pandemike, përfshirë izolimin shoqëror dhe betejat ekonomike. Kjo mund të pengojë aksesin e tyre në shërbimet thelbësore në një kohë kur ata gjithashtu janë më pak të lidhur me mbështetjet e tjera të familjes dhe komunitetit.
“Mësuesit janë një burim kaq i rëndësishëm për sa i përket identifikimit dhe ndihmës së fëmijëve në rrezik,” tha Verdery në një njoftim për shtyp të universitetit, duke theksuar se kjo është një arsye që është e rëndësishme për shkollat të rifillojnë mësimet në klasa sa më shpejt që të jenë të sigurtë për ta bërë këtë dhe duhet siguruar mbështetje për mësuesit e mbingarkuar.
Studimi sugjeron që ndërhyrjet e provuara të shpërndara gjerësisht mund të ndihmojnë në largimin e problemeve të rënda psikologjike te fëmijët, megjithëse disa mund të kenë nevojë për mbështetje afatgjatë, thanë autorët.