Virozat e stinës tek fëmijët në kohë pandemie; Doktoresha: Prindërit të stepur për të paraqitur fëmijët pranë Qendrës Shëndetësore

Ndërrimi i stinëve nga ajo e verës në stinën e vjeshtës shohim që tek fëmijët kemi më të pranishme virozat në këtë stinë. Doktoresha Ledja Bahani, në lidhje me ndërrimin e stinëve dhe virozave të shfaqur tek fëmijët për Gazetën “Shëndeti” u shpreh se kryesisht nënat e reja duhet të kenë kujdes dehidradimin tek fëmijët e tyre.

“Varet nga virozat, pasi duke kaluar nga përfundimi i stinës së verës në atë të vjeshtës kemi akoma virozat e verës që na shoqërojnë. Disa nga simptomat që shfaqin fëmijët janë diarre, temperaturë, pavarësisht se nuk zgjat shumë një deri në dy ditë. Në këtë rast nënat duhet të kenë kujdes në dehidradim, që do të thotë se nënat mund të marrin lëngun ‘Trisol’ që merret në farmaci edhe përgatitet me ujë. Por, fëmijës i jepet të konsumohet cdo nëntë orë, dhe nëqoftëse fëmija refuzon ‘Trisolin’, atëherë mund të marrin cdo lloj lëngu tjetër, mjafton që fëmija të hidradohet. Pastaj, nëqoftëse fëmija vijon me të njëjtat simptoma, atëherë duhet të drejtohet tek mjeku”, u shpreh doktoresha Bahani. Përsa i përket marrjes së ‘Trisolit’, doktoresha tha se nuk ka përjashtim për moshën e fëmijëve që mund ta konsumojnë këtë lëng. Duke shtuar se mund ta marrin edhe bebet që ushehen me gji nga nëna, pasi nuk përbën asnjë rrezik për këtë grupmoshë.

Pyetjes që jemi në kohë pandemie dhe mënyrës se si fëmijët mund të jenë të rrezikuar për t’u prekur nga Covid-19, dhe se si ta dallojmë nëse është i infektuar me koronavirus apo janë simptoma të virozave, doktoresha tha se këto të dyja kanë shenja të ndryshme dhe mund t’i dallojmë qartë. “Në këtë sezon që jemi virozat shfaqin temperaturë të lehtë ose mund të kalojë edhe pa temperaturë, qoftë vetëm me enjtje të rrugëve të sipërme respiratore, ose me pak kollë të thatë. Në rast se fëmija nuk ka temperaturë, por vetëm pak hundët e bllokuara, nuk ka shenja dalluese për infektim me Covid-19.

Ndërsa për Covid, unë do të dyshoja në rast se do të fillonte të ngrihej temperatura dhe, sidomos nëqoftëse fëmija do të kishte po me temperaturë të afërm të tij familjarë, nëna, babai, motra apo vëllai, pra ata që kujdesen për të. Kemi pasur raste të tilla, ku kanë pasur të afërm me simptoma të Covidit edhe më pas u kanë ndodhur këtyre fëmijëve. Kryesisht të moshës nga klasa e tetë apo të nëntë, të cilët pas bërjes së tamponit kanë rezultuar me Covid-19. Kanë marrë mjekimin e duhur edhe e kanë kaluar pa rreziqe të mëdha”, tha ndër të tjera ajo.

Ndërkohë sipas doktoreshës, moshat më shumë të pranishme në “Urgjencat e Pediatrisë” rezultojnë moshat nga 8-9 muajshe deri në 2 vjeç. Gjithashtu ajo cilësoi për Gazetën “Shëndeti” se për periudhën gati dy vjeçare që me shfaqjen e Covid-19 në vendin tonë e deri më sot ka një rënie të numrit rasteve të paraqitur në Pediatri. Ndërkohë, ajo shtoi se edhe në këtë rast prindërit kanë marrë rekomandime nga mjekët nëpërmjet celularit. “Ka një stepje të prindërve për të paraqitur fëmijët pranë Qendrës Shëndetësore dhe janë më të prirur ti zgjidhin problemet nëpërmjet telefonatave dhe marrjes së këshillave nëpërmjet kësaj mënyre të komunikuarit. Në rastet e lehta funksionon, por ka raste më të rënda që duhet të paraqiten domosdoshmërisht fizikisht”, theksoi më tej doktoresha për Gazetën “Shëndeti”.

Nga ana tjetër për Gazetën “Shëndeti” u shprehën edhe nëna të cilat kishin fëmijë që po trajtoheshin pranë “Qendrës Shëndetësore numër 6” për shkak të simptomave të virozës stinore. Ata thanë se simptomat kanë qenë të lehta si diarre dhe rrallë herë temperaturë, pavarësisht se nuk përjashtuan nevojën e ndihmës mjekësore. “Kam sjellë vajzën shtatë vjeçe këtu, pasi kishte simptomat si temperaturë edhe diarre”, u shpreh një prind.

Share With:
Translate »
159 Views