Dalina Buzi: Gëzuar, për gocat bobe!

Nga Dalina Buzi

Rëndësinë e barazisë gjinore unë e kam kuptuar tamam vetëm kur u bëra nëna e Larisës dhe Helenës. Teksa i kam parë të rriten të mençura dhe plot batuta, të afta për të gjetur zgjidhje praktike në teknologji pa asnjë ndihme, pa asnjë frikë për të hipur në shkëmbinj e paralele, për të udhëtuar në skaf në det me erë apo për t’u hedhur nga lartësitë, të apasionuara sa pas fustaneve me tyl aq edhe pas t-shirts me anime, gjithmonë kam pyetur veten se si ka arritur shoqëria që një dite t’u thotë vajzave: “Ndalo!

S’mund të bësh më shumë! Prit për një burrë që të bej gjëra për ty!” Si ka arritur shoqëria që vajzat e vogla që përveç ndryshimeve biologjike, janë po aq të shkathëta, të zgjuara, atletike, praktike, t’i bindë se janë “më pak” se meshkujt? Si mund të ma nxërë mua goja t’i mësoj bijat e mia që kjo është botë burrash dhe duhet të luash me rregullat e tyre? Nuk e bëj dot dhe shumë të tjera si unë e di që as nuk u shkon nëpër mend sot në 2021, t’i frenojnë gocat nga pasionet dhe dëshirat e tyre.

Unë ndoshta nuk jam nëna e përkryer që ta bën supën gati, të hekurosë apo të rri me ty çdo mbrëmje në shtëpi pas orës 17:00; i kam urryer këndet e lojërave sepse më krijonin dhimbje koke; ndonjëherë dhe më ka zënë gjumi më herët se ato dhe i kam lënë të flenë zbuluar ose kam harruar t’u jap darkë kur s’kanë kërkuar, por di të them që në asnjë moment as dje, as sot dhe as kurrë nuk do të ndaloj së frymëzuari vajzat e mia që nëse duan, ato mund të bëjnë gjithçka! Mjafton ta bëjnë me dashuri! Kjo nuk është bota e burrave, kjo është bota e te gjithëve dhe lufta është e njëjtë për të dyja gjinitë. Gëzuar për gocat “bobe” që po rrisim me shpresë që çfarëdo ato të bëjnë, të jenë një forcë pozitive ndikuese edhe në komunitet.

Share With:
Translate »
719 Views