Vdekja e Kobe dhe Gigi Bryant, kërkohet ekzaminim psikiatrik për vejushën e legjendёs sё Lakers
Aksidenti me helikopter, që vrau Kobe Bryant dhe vajzën e tij Gigi, më 26 janar 2020, vazhdon të ngjallë përplasje mes vejushës së ish-lojtarit të Lakers dhe kompanisë që zotëronte mjetin fluturues, në bordin e të cilit në momentin e rrëzimit humbën jetën edhe shtatë persona të tjerë.
Me këto dëshmi, mbrojtja e Qarkut Kalifornian do të përpiqet të provojë se Vanessa pësoi depresion dhe ankth emocional për shkak të humbjes së bashkëshortit dhe vajzës së saj dhe jo për shkak të fotove që u zbuluan. Sipas “USA Today”, mbrojtja e Los Angeles County po kërkon një urdhër gjykate për të siguruar të dhënat mjekësore si pjesë të mbrojtjes.
“Qarku paraqet këtë mocion për t’i detyruar paditësit që t’i kryejnë këto teste, të cilat janë të nevojshme për të vlerësuar ekzistencën, shtrirjen dhe natyrën e dëmtimeve të pretenduara emocionale. Paditësit nuk mund të pretendojnë se vuajnë nga depresioni, ankthi dhe shqetësime të rënda emocionale dhe më pas të refuzojnë provat për të mbështetur këto pretendime“, thotë avokati mbrojtës i Qarkut të Los Angelesit në deklaratën e tij.
“Ata nuk mund të vuajnë nga shqetësimet për fotografitë e vendit të rrëzimit, që ata kurrë nuk i kanë parë dhe që nuk janë publikuar kurrë. Paditësit po kërkojnë dhjetëra miliona dollarë për t’i kompensuar për dëmtimet e tyre të supozuara mendore dhe emocionale. Ekzaminimet mjekësore do të ndihmonin në vlerësimin e ekzistencës, shtrirjes dhe gjetjen e shkakun të dëmtimit të pretenduar”, mbyllet deklarata e lëshuar nga avokatët mbrojtës.