Aktorja meksikane qëllohet për vdekje ndërsa priste djalin e saj jashtë akademisë së futbollit
Një aktore dhe këngëtare meksikane u qëllua për vdekje teksa priste të merrte djalin e saj 11-vjeçar nga një akademi futbolli në shtetin e Morelos, thonë raportet.
Tania Mendoza ishte jashtë kompleksit sportiv në qytetin e Cuernavacas bashkë me prindër të tjerë, kur dy burra të armatosur mbërritën me një motoçikletë të martën. Njëri prej tyre e qëlloi disa herë përpara se të arratisej me bashkëpunëtorin e tij.
Mendoza, e cila ishte 42 vjeçe, u bë e famshme në vitin 2005, pas një roli kryesor në filmin “La Mera Reyna del Sur”. Ajo ishte shfaqur edhe në një sërë telenovelash, por vitet e fundit iu përkushtua karrierës së saj si këngëtare dhe regjistroi pesë albume.
Në vitin 2010, ajo u rrëmbye me burrin dhe djalin e saj, i cili ishte gjashtë muajsh, për shkak të biznesit të lavazhit të çiftit. Që atëherë, ajo kishte raportuar në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit të Morelos disa kërcënime me vdekje.
Nuk dihet ende se kush qëndron pas vrasjes së Mendozës, apo ndonjë motiv i mundshëm. Pas të shtënave, policia ka kryer një operacion në kërkim të të dyshuarve, por askush nuk është arrestuar.
Vrasja po hetohet si “femicide” (vrasje e grave për shkak të gjinisë). Të paktën 10 gra u vranë çdo ditë në vend vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare. Grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International tha se rreth një e treta e viktimave – 940 – ishin vrasje të qëllimshme të grave për shkak të gjinisë së tyre, duke e quajtur atë një “epidemi tronditëse”. Vrasja e grave është gjithnjë e më shumë një shkak për shqetësim, por pavarësisht nga një lëvizje në rritje për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje, autoritetet nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë rritjen e numrit të vrasjeve.
Sipas Amnesty, rastet hetohen rrallë dhe shumica e autorëve mbeten të pandëshkuar.