“Mami donte lavatriçe, unë piano”, ‘lufta’ në shtëpinë e Mariza Ikonomit
Suksesi i jetës së Mariza Ikonomit padyshim mund të quhet karriera artistike apo ngjitja në skenë për herë të parë, por çdo arritje e madhe nis nga gjëra të tjera të vogla. Kështu është edhe ngjarja që ajo rrëfen në “E ardhmja është vajzë” në Klan Plus, një ‘luftë’ e vogël me mamin shënoi pikën e nevojshme për të shkuar drejt majave.
Mariza Ikonomi: Në moshën 17-vjeçare kompozoja shpesh, madje kam kompozuar që 9 vjeç, pastaj 11 vjeç bëra çmos që të merrja pianon sepse ndërkohë kur fituam Çmimin e Publikut me ato lekët kam bërë luftë të madhe se mami donte lavatriçe “Candy”, unë desha pianon. E kam edhe sot e kësaj dite atë pianon dhe bëra shumë mirë që e bëra këtë luftën sepse mami patjetër që ishte e pamundur të mos e realizonte dëshirën. Aty kam filluar të kompozoj, është kompozuar kënga “Piano e vjetër” që shënoi suksesin tim tashmë si një adoleshente dhe një këngëtare më e rritur, më e maturuar, më e kompletuar dhe si kompozitore.