Kaos në një fluturim/ Stjuardesat detyrojnë nënën të bindë 2-vjeçarin me autizëm të vendosë maskën
Pati kaos në bordin e një fluturimi të JetBlue nga Kankuni në Newark. Arsyeja ishte një 2-vjeçar me nevoja të veçanta, që nuk donte të mbante maskën e tij. Nëna e djalit thotë se trajtimi i linjës ajrore e bëri atë të ndihej e poshtëruar.
Pas dy vitesh punë si mësuese gjatë pandemisë, Jennifer Minsky, bashkëshorti i saj dhe dy djemtë e tyre të vegjël u nisën për një palë pushime ëndrrash në Kankun.
Gazetarja e CBS-së e pyet Jennifer sot: “Ju e dinit politikën e mbajtjes së maskave. Apo jo? Pra, i kishit përgatitur djemtë?”
“Po. Djali mban maskë në kopsht gjatë gjithë kohës, pa asnjë problem”, përgjigjet Jennifer.
Pasi fluturimi i tyre i kthimit për në Newark u shty për tre ditë, më në fund hipën në atë aeroplan që do t`i kthente për në shtëpi, por makthi i tyre vazhdoi.
Një ekuipazh i tërë me stjuardesa qëndronin mbi kokën e Jennifer derisa të bindte djalin 2 vjeç që të vinte maskën.
“Në atë moment, isha shumë nervoze, sepse do të na nxirrnin nga avioni. Ata mund ta shihnin qartë se djali ishte i mërzitur. Ai ka probleme shqisore, kështu që njerëzit që rrinin mbi kokat e familjes sonë, duke na hedhur maska ??në fytyrë, po e bënin të ndihej më keq”, tregon Jennifer.
Djali është i prekur nga çrregullime të spektrit autik, një gjendje për të cilën Jennifer thotë se e informoi JetBlue. Ajo kishte edhe një letër nga mjeku për ekuipazhin e fluturimit.
Pas 30 minutash kaosi duke tentuar t`i vinte maskën dhe padurimit për t’u kthyer në shtëpi, ajo i dha djalit një qetësues që ta vinte në gjumë për t`ia vendosur.
“Nuk mund ta besoj që e kam bërë këtë. Ne e mbajmë atë ilaç për djalin e madh. I vogli nuk është mjaftueshëm i rritur për atë ilaç. Ai ra në gjumë dhe ne i vendosëm maskën”, tha Minsky.
Kompania është justifikuar për këtë situatë duke thënë se familja duhet t`i kishte vënë më parë në dijeni për këtë situatë, përmes emailit: “Duhet të komunikoni dhe duhet ta konfirmoni atë gjë, sepse sapo të hyni në avion dhe dera të jetë e mbyllur, të drejtat tuaja, nuk janë më në anën tuaj”.
JetBlue tha se familja duhet të kishte kërkuar paraprakisht një leje dhe të plotësonte një aplikim për mosmbajtjen e maskës nga ana e djalit.
