“Fjalët e fundit të tim biri ishin emrat e vrasësve të tij…”

Një adoleshent i mbuluar nga gjaku u tha dy të panjohurve kush e kishte sulmuar, përpara se të humbiste jetën në rrugë. Emrat e tyre kishin qenë anonimë deri më sot. Më 4 Maj të 2021, Reece Tansey u godit 6 herë me thikë pranë parkut Great Lever, në Bolton.

15-vjeçari dhe një shok ishin bindur që të shkonin për të takuar James White, 16 vjeç, dhe Mark Nuttall, 15, në gjysmë të natës. Por shoku i Reece vendosi që të mos shkonte kështu që adoleshenti u gjet i vetëm. Dy bashkëmoshatarët e goditën 15-vjeçarin me thikë dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes. Pak kohë më pas, 2 kalimtarë të rastit e panë të miturin në mes të rrugës. I mbuluar nga gjaku dhe pak përpara se të humbiste jetën, frymën e fundit e përdori për t’i thënë personave të fjalë emrat e dy adoleshentëve që i morën jetën.

Ata u arrestuan pak kohë pas ngjarjes, ndërkohë që policia zbuloi edhe bisedat e tyre në rrjetet sociale, kur flisnin për krimin. Detajet për ngjarjen dolën në dritë gjatë seancës gjyqësore, në gjykatën e Manchester. Pikërisht në sallë të gjyqit u zbulua se White dhe Nuttall ishin frymëzuar nga rrjetet sociale dhe u pëlqente të pretendonin se ishin gangsterë.

Deri javën e shkuar, në media dy adoleshentët ishin identifikuar si Djali A dhe Djali B. Por insistimi i dy mediave në Britani, bëri që gjykata të pranojë kërkesën për t’i bërë emrat e tyre publikë. Për herë të parë, shteti njoftoi se dyshja janë shpallur fajtorë për vrasjen e Reece dhe janë dënuar njëri me 15 vjet burg dhe tjetri me 6 vjet.

Babai i viktimës, Ian Nice tha se i biri do të kishte dashur që emrat e vrasësve të tij të bëheshin publikë.

“Do të kishte qenë e rëndë për Reece nëse nuk do të bëheshin publik emrat e tyre. Tani më në fund mund të prehet në paqe. Ka qenë e vështirë sepse nuk mund të postonim asgjë për ta, nuk mund t’i bënim publikë emrat. Tani ndihemi të lehtësuar. Fjalët e fundit të Reece përpara se të vdiste ishin emrat e tyre. Ai nuk ishte vetëm im bir, ishte shoku im i ngushtë, dhe nuk pata mundësi që t’i thoja lamtumirë, t’i mbaja dorën dhe t’i thoja: të dua bir”, tha babai i adoleshentit.

Share With:
Translate »
166 Views