“I mora tre fëmijët mes plumbave, nuk kisha kohë për të humbur” historia e Natalias që pas 5 ditësh udhëtim përfundoi në Kalabri
“Akoma nuk mund ta besoj që arrita të largohesha”,- kështu e nis rrëfimin e saj Natalia, 38-vjeçarja ukrainase nga Ivano-Frankvisk. Mamaja e tre fëmijëve, Andri 15 muajsh dhe Anna e Antonina, përkatësisht 10 dhe 8 vjeç, tashmë gjendet në një qendër strehimi në Crotone, Kalabri. “Udhëtuam për pesë ditë në një autobus të mbushur plot me nëna dhe fëmijë, më i vogli vetëm tremuajsh. Kishte radhë të gjata në kufi, mendoja që s’do ia dilnim kurrë. Ishte rraskapitëse për të gjithë. Nuk arrija dot as t’i ndërroja bebelinën Andri-t. Kisha frikë që rrugës do të na sulmonin, por isha e gatshme të bëja gjithçka për të mbrojtur fëmijët e mi.”– vijon ajo rrëfimin e saj, ndërsa në fytyrë i lexohen ende shenjat e lodhjes dhe traumës.
E ka të vështirë të ngjisë shkallët, këmbët i ka akoma të fryra nga rruga e gjatë, por ndërkohë na jep një buzëqeshje.
“Sapo mësova që mamatë dhe fëmijët mund të largoheshin nga Ukraina, nuk hezitova të nisja këtë aventurë të re. Mamaja ime punon këtu, nuk e shihja prej 7 vitesh. Ajo me dërgoi numrin e disa miqve të saj dhe krejt papritmas, pas pesë ditësh agoni, e gjeta veten këtu. Shpresoj shumë që të gjej një punë.”-vazhdon ajo.
Francesca Zimatore dhe Luca Greco, janë një çift i ri nga Crotone që vunë në dispozicion qendrën e tyre të strehimit për të gjithë refugjatët e luftës ukrainas. “Sapo dëgjuam që shpërtheu lufta, vendosëm një lajmërim online. Nuk mund të qëndronim duarkryq.”-rrëfejnë të dy.
“Ishte mëngjes kur dëgjuam shpërthimet e para. Shtëpia jonë u trondit, kisha frikë se do të na zinte brenda. Nuk po merrja vesh çfarë po ndodhte derisa mësuesja e vajzave më tregoi që ajo që i druheshin më shumë, ndodhi. Burri im është akoma aty dhe më tregon se qyteti ynë tashmë është kthyer në një ferr të vërtetë. Nuk e di nëse do të takohemi sërish, nëse do të kthehemi në shtëpinë tonë të vogël që e ndërtuam me aq shumë dashuri.”- përfundon ajo, ndërsa tregon që akoma e ka të vështirë t’u shpjegojë vajzave atë që ndodhi./Burimi “IoDonna.it”
