Fotoja prekëse e djalit të Hashim Thaçit që sot feston ditëlindjen: Kur isha 2 vjeç….
Në ditëlindjen e tij, Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka postuar një foto mjaft prekëse me babain e tij që sot së bashku me ish-komandantët e tjerë të UÇK ndodhet i burgosur në Hagë në pritje të gjykimit nga Gjykata Speciale.
Endriti që sot mbush 23 vjeç ka publikuar një foto përkrah babait të tij kur ishte fare i vogël, vetëm 2 vjeç, foto të cilën e shqëron po ashtu me një dedikim mjaft emocionues për të atin që nuk e ka pranë.
Ai shprehet se edhe në ditën kur lindi ishte kohë lufte dhe as atëherë babain nuk mund ta kishte pranë. I njëjti fat duket se e ndjek edhe sot 23-vjeçarin, por rrethanat janë krejt të kundërta, pasi, siç shprehet ai, në vegjëli babai i tij luftonte për të mbrojtur atdheun, ndërsa sot është i akuzuar pikërisht për shkak të rolit të tij në luftën që i dha lirinë dhe pavarësinë Kosovës.

“Në ditën kur linda ishte kohë lufte, babain nuk e kisha afër. Ishte në zjarrin e luftës për liri. Sot në ditëlindjen time të 23-të është kohë lirie por atë sërish nuk e kam afër. Tani është në mbrojtje të luftës, që me përkrahjen e aleatëve, na solli lirinë.
Jam shumë i lumtur që sapo i dëgjova zërin dhe mora urimin prej tij. Më mungon shumë babi, por krenohem me ty,” shkruan Endriti.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi që nga nëntori i vitit 2020 ndodhen në Hagë duke u gjykuar për krimet e e pretenduara të luftës së pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat përmenden në një raport të Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është Dick Marty.