Hailey Bieber fajëson pilulat kundër shtatzënisë për goditjen që pësoi në tru
Hailey Bieber është duke folur për atë që e çoi në shtrimin e saj në spital muajin e kaluar për një mpiksje gjaku në tru dhe mini-goditje pasuese. Në një video të postuar në kanalin e saj në YouTube, Bieber zbuloi se përdorimi i pilulave kundër shtatzënisë, çon në disa gjendje shëndetësore, një prej tyre është mpiksja e gjakut.
“Sapo kisha filluar pilulat, të cilat nuk duhej t’i kisha marrë kurrë, sepse jam dikush që vuaj nga migrena gjithsesi. Dhe thjesht nuk fola me mjekët e mi për këtë. Po nëse vuan nga migrena dhe merr pilula, ke edhe më shumë shans për të pësuar goditje në tru”, tha ajo.
Në fakt pilulat që përmbajnë estrogjen nuk janë forma e vetme e kontrollit të lindjeve. Studime të shumta kanë zbuluar se pilulat vetëm me progesteron nuk e rrisin rrezikun për të pasur një goditje në tru. Në mënyrë të ngjashme, edhe injeksioni që bëhet në krah, njëherë në gjashtë muaj, ka vetëm progesteron. Të gjitha këto janë opsione të sigurta.
Sipas Fondacionit Amerikan të Migrenës, disa kontraceptivë oralë mund të kenë efekte anësore të mundshme dhe të rrezikshme për gratë që vuajnë nga migrena. Për këto gra, pilulat e kontrollit të lindjes mund të rrisin rrezikun e tyre për goditje në tru dhe sëmundje kardiovaskulare, në varësi të historisë së tyre personale. Ato gjithashtu mund të jenë në rrezik më të lartë të trombozës së venave ose mpiksjes së gjakut.