Kate: Asnjë nënë nuk është imune ndaj ankthit dhe depresionit
Dukesha e Kembrixhit ka thënë se asnjë nënë nuk është ‘imune ndaj përjetimit të ankthit dhe depresionit’ teksa në një video tregon se është mbështetëse e shoqatës për kujdesin ndaj shëndetit mendor të nënave.
Kate Middleton tha se ishte thelbësore që nënave që luftojnë me shëndetin mendor t’u jepej mbështetja e duhur në kohën e duhur dhe gjithashtu i kërkoi shoqërisë të luante rolin e saj, duke thënë se të gjithë duhet të ndihmojnë në rritjen e fëmijëve e se përgjegjësia nuk është vetëm e nënës.
“Ne të gjithë e dimë se shtatzënia, lindja dhe muajt apo vitet e para të jetës së një fëmije mund të jenë jashtëzakonisht të vështira. Prindërit shpesh ndihen të vetmuar dhe të mbingarkuar në këto vite të hershme. Mjerisht, ne e dimë se shumë nëna po vuajnë në heshtje. Askush nuk është imun ndaj ankthit dhe depresionit gjatë kësaj kohe”, tha Kate.