Nëna është nënë dhe asgjë nuk e ndryshon dot!

Nga pretendimet e fundit të targetgrupit LGBTI+ mbi zëvendësimin e termave “nënë” dhe “baba” me konceptet “prindi 1” dhe “prindi 2” është ngritur një debat i fortë shoqëror i papajtueshmërisë me këtë çështje.

Padyshim shoqëria jonë e lidhur ngushtë me familjen dhe konceptet themelore të saj, nuk mund të pranojë një ndryshim të tillë, aspak gradual apo emancipues brenda saj. Në këtë logjikë përmendim faktin se kërkesat e target grupit LGBTI+ kanë konsistuar në një inkoherencë të plotë me kulturën dhe konceptet morale me të cilat shoqëria jonë bashkëjeton në vite e për rrjedhojë kanë nxitur edhe më shumë retorikën dhe sjelljet publike homofobe. Në këtë kontekst, fakti se nëna emërtohet si e tillë, nuk lidhet me qasjen sesi shoqëria jonë e trajton femrën, por me një rol që gruaja e ka që në fillesat e njerëzimit, rolin më të rëndësishëm të edukimit në shoqëri dhe kjo s’do ndryshojë nëse dikush zgjedh apo jo të ketë një orientim seksual ndryshe.

Në gjithë botën, familjet hibride të përbëra nga një çift homoseksual apo miksime gjinish, bashkëjetojnë në harmoni me konceptet dhe termat. Fakti I ndryshimit të terminologjisë në rang legal apo shoqëror nuk e bën më të thjeshtë tejkalimin e ngërçeve të funksionimit të një familje hibride. Duhet theksuar se nuk është element themelor në ndërtimin e të drejtave të familjeve homoseksuale fakti se termi “nënë” dhe “baba” mbetet apo jo I tillë. Çdo individ që ndjehet grua brenda trupit të një burri apo e kundërta, ka të drejtë të ndryshojë gjininë dhe të emërtohet ashtu si ai do. Luftën për të drejta gjinore edhe vendet më të zhvilluara perëndimore kanë qindra vite që nuk e “fitojnë” dot, kjo sepse është shumë i vështirë tejkalimi I tradicionalizmit në shoqëri, ku familja akoma njihet me të njëjtën strukturë konservatore.

Akoma më e paqartë është kërkesa që “nëna” të quhet “prindi që të lind” sepse të quajturit e gruas nënë e bën atë të pabarabartë me burrin si dhe e konsideron atë thjesht qenie riprodhuese. Tërësisht e gabuar, nëna është e tillë, por kjo nuk e përjashton atë nga rolet e tjera sociale. Ta quash nënën “prindi që të lind” e barazon atë thjesht me riprodhimin. Madje nxit një konfuzion akoma më të madh edhe për vetë targetin LGBTI+ nga ku “prindi që të lind” shpesh është dikush jashtë strukturës së “familjes hibride”. Nëna, në familjet tipike tradicionale dhe konservatore si e jona, nuk është thjeshtë “prindi që të lind” por institucioni themelor mbi të cilin është ndërtuar familja por edhe shoqëria. Nëna përbën bazën kryesore të edukimit, lidhjes së familjes, komponentin moral, por mbi të gjitha personin kryesor ku njeriu mëson dhe mishëron ndjenjën më të rëndësishme humane, dashurinë.

Gjithashtu, argumenti i ndryshimit të termave “nënë” dhe “baba” me termat “prindi 1” dhe “prindi 2” nuk I shërben as të drejtave të grave, as konstitucionalizmit, madje as targetit LGBTI+. Madje ngre një dilemë të madhe rendore se cili është “Prindi 1” dhe cili “Prindi 2” e përse të qenit prind duhet të klasifikohet me shifra, duke na rikthyer sërish tek dilema e Simone de Beauvoir, se gruaja është apo jo seksi i 2-të! Në këtë qasje, duhet që ky targetgrup më së shumti të fokusohet tek krijimi i një terreni social dhe ligjor përfshirës, mbi pranimin e të drejtave të tyre të bazuara tek përkatësi të ndryshme seksuale dhe identitare.

Po ashtu duhet që edhe pretendimet e tyre të shkojnë përshtat kulturës ku ato ngrihen si dhe të ndjekin një kurbë graduale të shëndetshme me qëllim, mos nxitjen e homofobisë dhe mospranueshmëri nga shoqëria.

Nga Arsejda GJYLI, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

/Revista Psikologji

Share With:
Translate »
158 Views