Marsela Çibukaj përlotet nga fjalët e së ëmës: Faleminderit për vajzën që je!
Në natën finale të “Kënga Magjike”, Marsela Çibukaj kishte të pranishme spektatoren më të dashur, nënën e saj. Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, ajo duartrokiste fort të bijën, e cila në fund mori edhe kupën e fitores. Këto emocione të forta Marsela i rrëfen në “Rudina” në Tv Klan, ku shprehet se ishte hera e parë që prindërit e shihnin të performonte.
Marsela Çibukaj: Edhe unë në fakt emocionohem shumë teksa shoh këto vieo, madje njërën nga videot e kishte realizuar Blerina Bombaj,e cila ishte afër aty, ngjitur me mamin dhe nuk e kuptonte në fillim, “kjo zonjë kaq fanse e Marselës, sa fanse qenka kjo e Marselës”. Ndërkohë kur dola pastaj në skenë dhe ajo tha “ylli i mamit, zemra e mamit” e kuptoi që ishte mami im dhe kishte bërë këtë video e cila është plot emocion. Me emocione jam edhe unë kur e mendoj që prindërit jetojnë larg dhe ç’është e vërteta nuk e kanë mundësinë të më shoqërojnë dhe të më shohin në çdo skenë.
Kjo ishte hera e parë që mami më shihte në një skenë kaq të madhe siç është ajo e Pallatit të Kongreseve dhe mbi të gjitha e Këngës Magjike, me këtë skenografi të jashtëzakonshme, me Ardit Gjebrea që është artisti që ne familjarisht duam që në fillimet dhe një emocion i jashtëzakonshëm. Mbaj mend vetëm ditën më vonë, erdhi vetëm për një natë, vetëm për natën e Këngës Magjike, nuk fjeti gjithë natën, fjetëm bashkë, më ka shtrënguar duart dhe ditën e nesërme kur e shoqërova në aeroport më tha “jam kaq e lumtur, është hera e parë që iki kaq e lumtur nga Tirana” se gjithmonë ikën me atë merakun e prindit që ka vajzën në Tiranë dhe bëhet merak shpeshherë për mua, por kësaj radhe iku e lumtur.
Këtë lumturi, nëna e Marselës e përcjell tani publikisht në studion e “Rudina” nëpërmjet një videomesazhi.
“Zemra e mamit ti që na lumturon dhe na bën krenarë çdo ditë si prindër, ke urimet dhe bekimet më të mira në çdo hap të jetës dhe karrierës tënde. Që e vogël ke qenë fëmijë plot talent dhe mirësi, nxënëse ekselente në shkollë dhe një vajzë zemërgjerë gjithmonë për të ndihmuar të tjerët. Dhe pse larg nesh, me forcat e tua, me fuqinë e zërit tënd dhe me pasionin e madh për muzikën, arrite të rrëmbesh zemrat e të gjithëve ndër vite. Arrite të dallosh me fisnikërinë tënde dhe klasin që rrezaton në skenë. Momentin kur artisti i madh Ardit Gjebrea dha emrin tënd si fituese e festivalit Kënga Magjike ishte një emocion kaq i madh sa asnjëherë s’kam për ta harruar.
Është një gëzim i madh për një prind të shohë një fëmijë të realizuar dhe të shpërblyer me sakrificat e saj. Na merr malli për ty gjithmonë por në të njëjtën kohë jemi të lumtur të të shohim të lumtur dhe të buzëqeshur ashtu si sot në studion e Rudinës. Jemi të lumtur të të shohim të rrethuar nga dashuria e njerëzve dhe dashuria e një djali të jashtëzakonshëm që e duam shumë, si Vitmari. Faleminderit Marsela për vajzën që je, plot vlera dhe me një shprit të bardhë. Mami, babi, motra të urojmë nga zemra, vetëm gëzime shpirti i mamit, të vazhdosh të na emocionosh me gjithë publikun dhe me zërin tënd të bukur”, përfundoi ajo.