“Asnjë prind nuk është i lumtur, nëse fëmija i tyre detyrohet të jetojë larg”. Mesazhi i fuqishëm nga skena e Ariston

Një mesazh i fortë erdhi nga skena e madhe e Ariston, natën e djeshme të Sanremos. Ishte volejbollistja Paola Egonu, si një vajzë me origjinë nga Nigeria, që mbajti një monolog sa personal, aq edhe gjithëpërfshirës mbi emigrimin.

“Unë nuk jam këtu për të dhënë leksione për jetën. Përpiqem të nxjerr një mësim nga çdo ditë. Në të kaluarën më kanë cilësuar shpesh si hermetike, prandaj jam munduar t’i lejoj vetes të them më shumë. Kjo bëri që disa fjali të nxirreshin jashtë kontekstit dhe të botoheshin në gazeta për të bërë zhurmë. Çdo mendim kur shprehet me zë, nuk është më nën kontrollin e folësit.

Gjithçka në jetë ua kam borxh prindërve të mi, falë të cilëve kam pasur një fëmijëri të lumtur. Më kanë mësuar se nëse dëshiron diçka, duhet ta fitosh atë. Unë nuk jam nënë, por ëndërroj të bëhem. Asnjë prind nuk është i lumtur nëse vajza e tyre detyrohet të jetojë larg. Unë ju them faleminderit sot, sepse për dashurinë time keni hequr dorë nga unë. Më mungojnë, por e di që kjo është zgjidhja ime.

Që fëmijë isha e fiksuar pas arsyeve. Pastaj kur u rrita pyeta veten “pse ndihem ndryshe, pse e përjetoj sikur të ishte faj?”

Kuptova se diversiteti im është veçantia ime. Unë jam vetja. Jemi të gjithë të njëjtë, përtej pamjes së jashtme. Sporti më ka dhënë shumë, por mendoj se humbja nuk është vetëm kur humbet një ndeshje. Qëllimi im është të kem topin vendimtar për të goditur. Jo gjithmonë ia dal mbanë dhe ende duhet të mësoj ta pranoj gabimin.

Më kritikojnë shpesh, është e pashmangshme. Disa janë konstruktivë, por të tjerët janë gurë të vërtetë mbi mua. Na takon neve t’i japim peshën e duhur. Nuk kam pushuar kurrë së shijuari kohët e mira. Më kanë akuzuar se nuk kam respekt për vendin tim, se kam treguar frikërat e mia. E dua Italinë dhe e vesh fanellën blu me krenari. Unë kam një ndjenjë të madhe përgjegjësie ndaj këtij vendi. Nëse humbas një finale nuk do të thotë se jam humbëse. Ashtu si në Sanremo, kur Vasco Rossi përfundoi i parafundit. Edhe nga disfatat mund të lindë një rrugë, secila me drejtimin e vet, secila ndryshe”.

Share With:
Translate »
224 Views