Regjimi komunist i internoi të atin, djali rrëfen sakrificën e nënës
Agroni ka ardhur nga Bostoni i SHBA-së ku jeton prej 30 vjetësh në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ai e nis rrëfimin me fëmijërinë e tij, që ishte e njëjtë me të tjerët e brezit të tij deri në momentin e një tronditjeje.
Babai i Agronit ishte pedagog ndërsa nëna mësuese e ciklit të mesëm. Jeta e qetë familjare e ndërtuar nga këta dy njerëz intelektualë u trazua nga regjimi komunist i cili shpalli babain e Agronit si një tradhtar të atdheut dhe më vonë e internoi.
Agron: Kur unë isha rreth 11 vjeç babain e përjashtuan nga partia për pikëpamje liberale revizioniste siç ishte në ato kohë. Ishin momente shumë të vështira për gjithë familjen, ishte dramë familjare. Unë shkoja në shkollë më thoshin “bir tradhtari”, vija në shtëpi i mërzitur, nuk doja të takoja njeri. Vij një ditë në shtëpi, shoh babain, te dhoma ku flija unë ishte dhoma e pritjes, e miqve dhe kishim një bibliotekë të madhe sa faqja e murit me libra, ishin libra të Bashkimit Sovjetik dhe e gjej një ditë që po i griste të gjitha sepse ishte frikë atëherë, mund të të vinin kontroll në shtëpi dhe të thoshin ti ke literaturë revizioniste.
Ardit Gjebrea: I grisi.
Agron: I grisi, mbushi thasë, ai ishte tip i fortë në përgjithësi dhe i rreptë kur duhej. Në atë moment filloi të qante me dënesë dhe më tha “më fal or bir, më fal” sepse e ndiente në njëfarë mënyre që… ai s’kishte faj fare, por që e ndiente, e vinte sikur po të ishte treguar më i kujdesshëm mbase do ta kishte evituar këtë punë.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi me babain, pati pasoja?
Agron: Po, e çuan në një fshat në Mollas të Elbasanit, ka punuar atje për vite e vite me radhë. Mamasë i thanë që “lëre burrin që të kenë fëmijët shanse më të mira për të marrë ndonjë bursë” a ku di unë se çfarë…
Ardit Gjebrea: U ndanë?
Agron: Mamaja tha “në asnjë mënyrë, unë e kam lidhur jetën me burrin tim dhe kam ndarë të mirën e të keqen me të, kudo që të na çojnë unë do jem pas burrit tim”.