‘Prindërit më donin ushtarak, por u arratisa’, fotot e rralla të aktorit Nik Xhelilaj me uniformë
E njohim si një nga aktorët më të mirë shqiptarë, por për pak mund t’i hynte edhe një zanati tjetër. Nik Xhelilaj, tregoi sot në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” se prindërit e tij kanë dashur që ai të ndiqte rrugën e profesionit të tyre, ushtarak. Kështu, në studio u publikuan disa foto të rralla të tij me uniformë.
Por Xhelilaj tha se vetëm kapelja i ka ngelur nga ky profesion pasi u arratis për të bërë atë që bën edhe sot. Aktori i njohur tregoi edhe si i ati e aprovoi profesionin e ri të të birit.

Xhelilaj tha se ka qenë pas premierës së filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder” kur i ati vuri në të gjitha tavolinat e një kafeneje revista ku në kopertinë ishte djali i tij bashkë me Michele Placido.
“Më kanë dërguar prindërit në Stamboll në vitin ’97, se unë i kam të dy prindërit ushtarakë dhe donin të ndiqja, sidomos babi, si të thuash, rrugën e tyre. Shiko dhe atëherë me kapele dhe tani me kapele. Vetëm ajo më ka ngelur nga ushtria sepse u arratisa pastaj. Tek filmi i parë “Trishtimi i zonjës Shnajder” pasi bëra filmin etj etj. Filmi doli në kinema, pastaj në film luan dhe Michele Placido. Nuk e di nëse e keni parë ju. Michele Placido vjen dy javë pas premierës dhe bëhet një njeri premierë. Ka qenë revista “Klan”, nuk e di si quhej ato vite dhe unë me Michele Placido, kemi dalë të dy në kopertinë. Në shtëpi kemi pasur një kafe të vogël dhe çdo mëngjes që nxirrte tavolinat babi, edhe unë kur e ndihmoja, kemi pasur një kioskë afër dhe ai ka vajtur ka blerë të gjitha revistat i ka lënë në çdo tavolinë në kafe. Ai ishte si të thuash aprovimi i tij që tani ishte i kënaqur me zgjedhjen që unë kisha bërë. E përshëndes se nuk e kam përshëndetur asnjëherë kështu live babin. Se ka dhe ditëlindjen sot. I uroj edhe 100 vjeç.”