Si të reagoni nëse fëmija juaj e përdor fjalën “i shëndoshë” si ofendim
Të rrisësh një fëmijë nuk është kurrë e lehtë, mbi të gjitha sepse është e rëndësishme ta ndihmosh të shprehet drejt dhe me respekt ndaj të tjerëve, sidomos në një periudhë si kjo që po përjetojmë. Në një shoqëri si kjo e tanishmja, ku shumë nga gjykimet lidhen me imazhin dhe pamjen fizike duhet luftuar për të bërë të kundërtën.
Dialogu me një djalë apo vajzë rezulton të jetë një komponent i rëndësishëm dhe duhet të përfshijë gjithashtu momente në të cilat ne përpiqemi t’i drejtojmë ata drejt termave më të mira për t’u përdorur. Kështu, disa prej tyre mund të përdorin fjalën ‘i shëndoshë’ për të përcaktuar dikë dhe ta përdorin atë si një fyerje, duke konfirmuar se si ata e konsiderojnë më të mirë një fizik të hollë.
Nëse kjo do të ndodhte, është thelbësore të merren masa përpara se kjo mënyrë e të folurit të bëhet zakon. Kjo, në fakt, tregon qartë se si fëmija e lidh të qenit mbipeshë me një sistem vlerash negative.
Çfarë duhet bërë në raste të tilla? Crystall Williams, një psikologe nga Kalifornia, u përpoq t’u jepte disa këshilla prindërve se si të vepronin përmes një interviste për Huffington Post: ‘Nëse prindërit dëgjojnë që fëmijët e tyre përdorin fjalën ‘i shëndoshë’ për të fyer ose kritikuar veten ose të tjerët, kjo do të thotë se ata shohin atë me konotacion negativ. Në këtë pikë do të ishte e rëndësishme të përpiqeshit t’i bënit disa pyetje: ‘Çfarë do të thotë për ju fjala i shëndoshë? Çfarë mendoni se do të thotë kjo fjalë për njerëzit e tjerë? Kush e vendos se kush është i shëndoshë dhe kush jo? A ka diçka të keqe të jesh mbipeshë?’”
Një nënë ose baba gjithashtu mund t’i kujtojë fëmijës se ‘trupat mund të kenë forma, ngjyra dhe madhësi të ndryshme’, janë fjalët e dietologes Alyssa Miller.
“Të gjithë trupat janë të ndryshëm dhe ne nuk i komentojmë trupat e njerëzve”, këto janë fraza që duhet t`u thuhen vazhdimisht fëmijëve.
Nuk duhet të supozohet kurrë se fëmijët janë shumë të vegjël për të kuptuar paragjykimet. Në shumicën e situatave, në fakt, ata janë në gjendje të thithin mesazhe nga jashtë që në moshë të vogël, deri në pikën për të perceptuar se ka një lloj fobie ndaj peshës në shoqërinë e sotme. Shumë prej nesh mund të mendojnë se mund të ngacmohen nëse perceptohen si të shëndoshë. Sapo t’i dëgjoni të thonë atë fjalë, do të ishte e rëndësishme t’i ndërprisni dhe të përpiqeni të filloni një bisedë tjetër.
Ndryshimi i të menduarit të tyre sigurisht që nuk do të jetë i lehtë, por as i pamundur.