Dalina Buzi flet për thirrjen që media u bën të rinjve që të ikin nga Shqipëria

Producentja dhe skenaristja Dalina Buzi, e ftuar në “A Show”, përballë moderatorit Adi Krasta, foli për qasjen “anti-shqiptare” që bëhet në media, parimet, metamorfozën e televizionit, revistën Anabel dhe projektin e saj, “të madh sa jeta”.

Fillimisht, Dalina foli për thirrjen që media u bën të rinjve që të ikin nga Shqipëria, duke thënë:

“Të prishësh një gjë është shumë e thjeshtë dhe ta ndërtosh është gjëja më e vështirë. Nëse e kanë thënë moderatorë me influencë: “Ikni”, ne e njohim shumë mirë tregun dhe i dimë pagesat dhe jetën që bëjnë, ndaj nuk janë në pozicionin që t’ua thonë të tjerëve. Ata e dinë që brenda diskutimit është edhe funksioni i klikimit, sepse duhet parë edhe konteksti. Por, ta marrësh si mision dhe ta nxisësh (thirrjen), për mua është “anti-shqiptare”. Më pas, shtoi se është mëse normale të acarohesh me vendin tënd, sepse e do atë.”

Ajo ceku edhe një pjesë të rëndësishme të lajmeve dhe opinioneve që qarkullojnë, të cilat jo gjithnjë janë objektive dhe të bazuara në argumente:

“Unë kryesisht kam kuptuar se një pjesë e gjërave që thuhen nuk janë parimore, janë shumë personale. Mund të jenë personale me qeverinë, me gjëra që janë prishur dhe kjo është dhimbja më e madhe që kam unë për median, pasi ka njerëz atje që realisht ikin, që mund të ndërtonin diçka këtu dhe nuk janë të lumtur andej”, duke nënvizuar se vendi ynë, siç ka gjëra negative, ka edhe shumë pozitive.”

Gjithashtu, foli edhe për ndryshimet që ka pësuar televizioni dhe media shqiptare, duke thënë se sforcimi i mëparshëm në të cilin kanë kaluar gazetarët, apo audicionet dhe shkollat që kanë bërë më parë, sot nuk ekzistojnë më dhe se vetë televizioni merr njerëzit interesantë në rrjetet sociale.

“Kush është më interesanti në TikTok, apo në rrjetet sociale, e merr televizioni. Personalisht, më ka ndodhur që nga programi im kanë marrë njerëz (dhe i kanë bërë pjesë të televizionit). Pa dyshim, unë kam eksperiencë televizive dhe kam ditur çfarë kam zgjedhur. Mirëpo, programet televizive nuk dinin si t’i shihnin pastaj siç i kam parë dhe krijuar unë dhe personazhet hutoheshin rrugës derisa gjenin veten”.

Sipas saj, vetëdija duhet të nisë nga vetë drejtuesi dhe më pas, të përcillet tek të rinjtë, në mënyrë që lajmi të jetë i bazuar në burime, të jetë i besueshëm, por që edhe vetë gazetari të mësojë rreth punës dhe parimeve të gazetarisë.

Producentja dhe skenaristja tregoi se do po ndërmerr një sfidë të re në botën e medias, të cilën ende nuk e zbuloi, por e cilësoi si “sfidën më të madhe si drejtuese”, jo si krijuese, por sërish, ajo mbetet optimiste, pasi beson se jo vetëm ajo, por shumë njerëz janë gati për të sjellë një ajër tjetër.

Burimi: Anabel

Share With:
Translate »
197 Views