“Miu më hëngri këmbën”, jeta në rrugë e Suelës dhe binjakëve: Shisja gjakun e trupit për ta
Në moshën 30-vjeçare, familja vendosi ta martonte Suelën me një 50-vjeçar. Nga kjo martesë e palumtur, nën hijen e dhunës erdhën në jetë binjakë. Suela rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” se duroi gjithçka, çdo torturë që ushtrohej ndaj saj por vendosi të tërhiqej kur dhuna preku djalin e vogël që s’kishte bërë tre vjetët.
Bashkëshorti u largua për në Gjermani dhe ajo mbeti e vetme, pa përkrahje dhe me dy fëmijët. Mes lotësh, ajo tregon në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se kishte vetëm 70 lekë sa për të blerë një bukë por më pas të tre përfunduan në mes të katër rrugëve.
Suela: Më nxorën jashtë shtëpisë ku isha. Atëherë kam fjetur nën një qiell të hapur.
Ardit Gjebrea: Me dy fëmijët?
Suela: Po.
Ardit Gjebrea: Të sëmurë.
Suela: Kam fjetur te shatërvani.
Ardit Gjebrea: I Shkodrës?
Suela: I Shkodrës…ngaqë isha jashtë isha e detyruar të vija pelena se s’kisha ku t’i nxirrja në tualet. Dy kalimtarë duke kaluar rrugës, unë edhe sot t’i shoh, nuk i njoh, dëgjojnë fëmijët duke qarë. Më kanë marrë, më kanë strehuar te një hotel atë natë. Kam dalë në mëngjes, kam dalë shumë herët nga hoteli që mos të më shihte dikush duke dalë se thoshin…
Ardit Gjebrea: Ah, do mendonin ndonjë gjë të çuditshme.
Suela: Kam shkuar po prapë te shatërvani që në 4 e gjysmë të mëngjesit.
Suela shton se për të ishte e rëndë të kthehej te familja me të dy fëmijët dhe rropatej që të gjente zgjidhje sa për të shpëtuar fëmijët.
Suela: Kishte rast, më ekstremi që ishte, ishte kur më kishte ngrënë miu këmbën dhe s’isha e zonja të ecja. Kam arritur pas një kohe, fëmijët i kam lënë me pagesë te një familje tjetër, unë kam fjetur në një makinë.
Ardit Gjebrea: Si me pagesë?
Suela: Tre mijë lekë nata te një familje. Ardit, kam arritur gjak tre herë në muaj, që është e ndaluar.
Ardit Gjebrea: Ke shitur gjak?
Suela: Po.
Ardit Gjebrea: Çfarë bëre për shtëpi?
Suela: E gjeta një shtëpi se këta djemtë që më strehuan te hoteli, kishin lënë një zarf te hoteli ku unë u strehova atë natë. Kam gjetur një shtëpi, por çfarë binte jashtë, binte brenda. Flija me shkop te koka se më hynte miu e më hante fëmijët. T’i lija fëmijët vetëm në krevat, nuk mundesha asnjëherë./