Nga kancelaria te librat dhe pajisjet, sa kushton rikthimi në shkollë!

Një nga ankesat e përvitshme të tyre janë çmimet e larta të artikujve shkollorë, të cilat prindërit janë të detyruar t’i blejnë dhe t’i riblejnë gjatë vitit si produkte konsumi. Bizneset e fushës shprehen se aktiviteti i tyre ka qenë i stabilizuar vitet e fundit, duke e argumentuar se ka pasur një rritje kërkesë pas pandemisë.

Në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, mjetet shkollore gjenden në çdo kancelari, librari, markete, si dhe dyqane për fëmijë. Kopshtet apo shkollat kanë një listë të tyre të produkteve të domosdoshme që fëmijët duhet të pajisen. Në një vëzhgim në terren, një fëmijë të ciklit fillor nga klasa e 1-4, mjetet shkollore kushtojnë rreth 8000 lekë. Dhe ky është vetëm një pikënisje.

Në qendrat tregtare krijohet një kënd i veçantë për rikthimin në shkollë dhe që në ditët e para të shtatorit nisin fushatat “Back to School”. Torta e shpenzimeve për këtë ditë, e cila nis që për fëmijët e ciklit parashkollor dhe në kopsht, ndahet jo vetëm në dyqanet e vogla të formës kancelari, por edhe në një “luftë titanësh” mes qendrave tregtare.

Dyqanet e vogla të lagjeve shprehen se shitjet kanë rënë ndjeshëm ndërsa qendrat tregtare raportojnë që ky vit ka qenë i mirë, në lidhje me tregtimin e artikujve shkollorë. Shumica e prindërve zgjedhin të shkojnë në qendra të mëdha tregtare ku dhe gama e produkteve është më e gjerë. Burime pranë “NoLimits” në Casa Italia, biznes i cili ka mbi 15 vite në tregun shqiptar, thonë për “Monitor” se ka pasur interes të lartë për çantat shkollore dhe portofolët e mbushur. Sipas tyre, janë zgjedhur çanta me çmime të larta, mbi 6000 lekë, si një tregues që duan t’i përdorin më shumë se sa një vit shkollor. Operatorët pranë kancelarisë “Infiniti Office” në Tiranën e Re, thonë se shitjet kanë qenë në nivele të mira këtë vit.

“Vëmë re një rritje kërkese për mjete shkollore si lapsa, stilolapsa, ngjyra, fletore.

Jemi fokusuar dy vitet e fundit në përmirësimin e gamës së produkteve që ofrojnë, duke sjellë mjete më cilësore”, –
pohojnë. Nga kancelaria “Euro Office” pohojnë se kanë vënë re një tendencë për të shpenzuar më shumë, ndonëse fëmijë ka më pak. Sipas tyre, prindërit shqiptarë kanë më pak fëmijë se më parë dhe kjo i ‘penalizon’ automatikisht me rënien e numrit të klientëve të ardhshëm. Nga Nova dhe Euro1, bëhet me dije se produktet kancelarike nisin nga 150 lekë dhe vijojë në çmime më të shtrenjta. Sipas tyre, prindërit kanë blerë më pak këtë vit por produkte më cilësore. Për to, kjo diferencë është vënë re, te numri i artikujve për fëmijë të blera: më parë bliheshin fletoret me pako, ndërsa këtë vit janë treguar më të mbledhur, duke marrë vetëm produkte me listën përkatëse, pa e ‘lëshuar’ dorën.

Sa kushton dita e parë?

Një nga gjërat thelbësore që prindërit duhet të blejnë për fëmijët janë librat, të cilët variojnë me çmime deri në 8000 lekë. Bëhet fjalë për klasat e gjashta e në vijim të ciklit 9- vjeçar, pasi cikli fillor deri në klasën e pestë, librat i merr falas. Megjithatë, duke qenë libra të përdorur, shpesh prindërit e këtij cikli sërish i blejnë, kosto e të cilave mund të variojë deri në 6000 lekë. Por vetëm me libra nuk mund të thuash se e ke kompletuar pjesën e artikujve shkollorë të një fëmije. Lapsat, fletoret, bojërat dhe letrat me ngjyra, dosjet, fletët a4, janë pjesa tjetër e domosdoshme për t’u blerë dhe që u nevojiten.

Mesatarisht, kostoja e gjithë këtyre produkteve shkon rreth 6000 lekë për çdo fëmijë. Kjo duke llogaritur një kosto fillestare, sepse gjithmonë ka produkte që nevojiten në vijimësi të procesit mësimor. Çantat janë një tjetër mjet i domosdoshëm për çdo nxënës. Çmimi i tyre varion nga 200010000 lekë. Gjithashtu portofolët, që shiten kryesisht të mbushur, kostot e të cilëve nisin nga 1000 lekë (ata bosh) deri në 4000 lekë të mbushur. Por nëse gjithë këtyre shpenzimeve do t u shtojmë edhe çmimin e veshjeve, vihet re një rritje të çmimeve, në varësi të markave. Për shkollat private, një kosto e konsiderueshme është ajo e uniformave, si dhe paketa e librave, të cilat janë kryesisht jashtë tarifës zyrtare të shkollës.

Uniformat për shkollat private nisin nga 15 mijë lekë ndërsa librat ndryshojnë në varësi të klasës, por bëhet fjalë për kosto nga 5-10 mijë për ciklin fillor. Për klasat 5-9, çmimet janë më të shtrenjta. Rritja më e madhe e çmimeve është tek fletoret, e cila sipas librarive vjen si pasojë e rritjes së çmimit të letrës. Nëse çmimi i një fletore të vogël para pandemisë ishte 29 lekë, tani për të njëjtën fletore paguani 40 lekë. Fletoret me cilësi më të mirë, të cilat para pandemisë mund të bliheshin me çmim prej 50-80 lekë, tani janë më rreth 150-200 lekë. E njëjta gjë ndodh edhe me stilolapsat, apo edhe mjetet e tjera shkollore, që konsiderohen bazë dhe të domosdoshme. Kancelaritë pohojnë se çmimet varen nga marka dhe cilësia e materialeve. Mund të gjenden materiale më të lira dhe më të shtrenjta.

Nëse bëjmë një mbledhje në total të të gjitha çmimeve për artikujt shkollorë rezulton se prindërit duhet të shpenzojë mesatarisht 12 mijë lekë për të çuar një fëmijë në shkollë, pa librat dhe me hamendësimin se produktet janë blerë relativisht të lira dhe jo në dyqane më cilësore. Kjo kosto e ditës së parë ka rritje prej 26% krahasuar me përllogaritjen e një viti më parë, të bërë nga Monitor.

Share With:
Translate »
45 Views