Nëna përlot Drini Zeqon me mesazhin e parë publik: Diell që rrezaton dritë

Siç ndodh shpesh, vajzat krijojnë një marrëdhënie të veçantë me babain ndërsa djemtë me nënën. Edhe spikeri i Tv Klan, Drini Zeqo ka një lidhje shumë të afërt e të ngushtë me nënën e tij. Ndërsa rrëfen për të në programin “Rudina”, ai tregon sesi ajo s’humb asnjë edicion tijin, si dallon çdo emocion e ndjesi të të birit edhe përmes ekranit dhe për të, është njësia matëse kur bëhet fjalë për daljet televizive.

I emocionuar, Drini shprehu vlerësimin më të lartë për nënën e tij për kujdesin që ajo ka treguar për të dhe Borën.

Drini Zeqo: Mami është njeri që është shumë afër jetës sime. Nëse ka një njeri që të mos ketë humbur një edicion lajmesh, është pikërisht ajo. Sa herë që unë nuk ndihem mirë se mund të jem pa qejf, ku di unë, mund të kem temperaturë, kollë, të mos ndihesh mirë, i dërgoj gjithnjë një mesazh, i them si dukesha në ekran? Ajo është njësia matëse që ti mund ta rishohësh veten se Youtube është një mundësi, syri i saj është gjithmonë i pagabueshëm dhe e dallon gjithmonë nëse ke qenë mirë apo ishte diçka që të shqetësonte. Është shumë e çuditshme sesi e dallon tensionin tim kur kam diçka që nuk shkon.

Rudina Magjistari: Nëna, padiskutim!

Drini Zeqo: Por e lexon edhe në ekran se unë jam duke qeshur, duke bërë ndonjë intervistë, ndonjë gjë dhe më thotë mua “ore çfarë ke, sikur s’të shoh në terezi” dhe i them jo, s’kam gjë se të rrish t’ia shpjegosh tani se çfarë mund të ketë ndodhur… por e lexon direkt. Është kujdesur shumë për ne me thënë të drejtën dhe bëhem gjithmonë emocional kur e kujtoj këtë pjesë sepse është një dashuri shumë e madhe, kujdesi i nënës për fëmijët është një gjë shumë e veçantë.

Por nuk mbaroi me kaq. Ndonëse Drini ka tashmë 25 vite karrierë, nëna e tij, Irena nuk ka pranuar asnjëherë të realizojë një intervistë apo një dalje të shkurtër për të. ‘Rregulli’ i saj duket se më në fund gjeti përjashtimin pasi ajo i ka dërguar një mesazh shumë të ndjerë “diellit” të saj, fjalë që mund t’i shprehë vetëm një nënë.

“Drini, kam shkruar nja dy rreshta për të të përshëndetur. Drini i mamit! Kohët e fundit kemi folur disi për jetët tona dhe nuk dua të tregoj për sfidat që na ka përballur jeta, por dua të shpreh gjithmonë mirënjohjen dhe përkushtimin që ti ke treguar për familjen, që pas çdo udhëtimi, në darkë ti do të pyesësh për mua dhe për Borën si jemi. Ti nuk u mërzite asnjëherë duke na ndihmuar Drini, që në adoleshencën tënde. Kënaqem, mbushem me gëzim dhe me krenari dhe të shoh në ditët e tua të mbushura me aktivitete sportive, mbi libra gjithmonë, me dashurinë që të karakterizon për punën, duke u rritur profesionalisht nga dita në ditë. Tashmë je një djalë i rritur, i pjekur mjaftueshëm dhe mendoj që ke bërë shkëlqyeshëm zgjedhjet e tua. Je diell që rrezaton dritë, mirësi, dashuri, pjekuri, je një hënë që ndriçon errësirën për një nënë, je shok i mirë që manifeston gjithmonë qytetari. Unë të uroj nga thellësia e zemrës, ty edhe Borës, shumë shëndet dhe mbarësi, shumë suksese të padiskutueshme Drini, i meriton! Vazhdo të shkëlqesh gjithmonë! Kam shumë besim te ti! Si për çdo nënë, jeni dy dashuritë e mia të mëdha, dritat e syve të mi, të shtrenjtët e mi! Forca bir i mamit, të përqafojmë fort unë dhe Bora”, përfundon nëna e Drini Zeqos.

Share With:
Translate »
45 Views