“Ma kanë bërë çdo ditë më të lehtë”, Nertila përlotet për dy gratë që ndryshuan jetën e të birit

Rrëfimi i Nertilës në “Ka Një Mesazh Për Ty” për djalin e saj me aftësi ndryshe, Gledisin ndërthuri një mori emocionesh. Ardhja e tij në jetë solli edhe shumë sfida shëndetësore për djalin,  tri operacione pa bërë ende 5-muajsh dhe vazhdimin e terapive të posaçme.

Një moment kyç kur Nertila u ndal në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ishte shkollimi i djalit. Ajo dëshironte që ai të ishte si shokët dhe të arsimohej në një shkollë publike. Fatmirësisht, i gjithë stafi dhe nxënësit e pritën krahëhapur duke ia bërë gjithçka më të lehtë.

Kur Gledisi ishte në klasë të tretë, veç mësuese Nertilës u bashkua edhe Bruna, një mësuese ndihmëse e të dyja ia kanë arritur që 15-vjeçari të bëjë gjithçka.

Nertila: Gledisi falë atyre mësueseve di të lexojë, di të komunikojë, di të shkruajë me kompjuter, ç’të të them? Tabelën e shumëzimit e di përmendësh dhe këto për mua janë arritje shumë të mëdha.

Ardit Gjebrea: Mësuese Bruna?

Nertila: Bruna bashkë me Nertilën kanë bërë të pamundurën për Gledisin. Dua t’i falenderoj me gjithë zemër për gjithçka që kanë bërë. Unë s’kam ardhur për t’u dukur, unë kam ardhur me gjithë zemër, me gjithë shpirt se e ndiej se për mua kanë bërë maksimumin. Edhe kur vjen Gledisi ndonjë ditë në shkollë, më marrin në telefon “ku është Gledisi, çfarë ka Gledisi”, shqetësohen.

Shokët e klasës nuk mbeten pas në trajtimin e Gledisit pasi të gjithë i falin shumë dashuri. Bashkë me prindërit e mësuesit, të gjithë janë kujdesur që ai të përjetojë lumturinë çdo ditë, e me të, edhe Nertila.

Nertila: Kur ishte i vogël i festonin ditëlindjen. Organizoheshin të gjithë prindërit, këtë e bënte Nertila, organizonte prindërit pa dijeninë time dhe kur hapnim ne derën e klasës e gjenim të zbukuruar, me animatorë dhe Gledisi fluturonte nga qejfi, nga gëzimi, ndihej shumë mirë. Këto janë ato gjëra që mua më kanë plotësuar, më kanë bërë të ndihem mirë kaq vite. U bë 9 vjet që ma kanë bërë çdo ditë më të lehtë

Share With:
Translate »
47 Views