“I bërtita sepse kishte bërë sherre”, zhduket 15-vjeçari në Shkodër, i ati mes lotësh i bën thirrje të kthehet

Një 15-vjeçar nga Postriba në Shkodër prej 48 oresh ka humbur kontaktet me familjen.

Babai i tij, Agim Bibaj tregon se i biri 15-vjeçar është nisur në mëngjes për në shkollë por nuk është futur në mësim duke u larguar në drejtim të paditur.

Që nga ai moment nuk ka shkuar në shtëpi gjë e cila ka alarmuar familjen.

15-vjeçari i larguar nga shtëpia

Babai ka bërë menjëherë denoncim pasditen e 11 nëntorit në policinë vendore të Shkodrës.

“Djali më ka humbur dje. Është nisur për në shkollë por nuk ka hyrë në godinë. Kur jam kthyer nga puna më tha nusja që është larguar, denoncova në polici por ende nuk kemi gjetur asgjë. I ka thënë shokëve të tij se kam frikë nga babai se ka bërë disa sherre dhe unë i kam bërtitur. I ka thënë shokëve që dua të iki në Tiranë”, tha ai.

Efektivët janë angazhuar për të gjetur se ku ndodhet 15-vjeçari dhe se përse është larguar.

Babai dyshon se djali është larguar për shkak se ditët e fundit i ka bërtitur që të mos bëjë sjellje të keqe, gjë të cilën ia ka shprehur vetëm shokëve dhe jo familjes.

Bibaj thotë se nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij por vetëm e ka këshilluar si çdo prind që të ketë një sjellje të mirë në shoqëri gjë për të cilën dyshon se i biri është irrituar duke vendosur të largohet nga banesa.

Agim Bibaj i bën thirrje kujtdo që mund ta ketë parë djalin e tij që ta njoftojnë. Po ashtu ka një thirrje edhe për të birin duke i thënë që të kthehet sa më parë sepse e kërkojnë nëna, vëllezërit dhe motra.

“Dua që im bir të më kthehet në shtëpi. Dua që im bir të më kthehet në shtëpi kushdo që ta shohë të na njoftojë. I bëj thirrje edhe djalit të kthehet tek ne prindërit, ka dhe dy vëllezër dhe motrën që e kërkojnë dhe qajnë për të”, ka Agim Bibaj mes lotësh.

Pas këtij denoncimi forcat e policisë të Shkodrës por edhe familja e 15 vjeçarit në Postribë janë vënë në kërkim të tij.

Share With:
Translate »
30 Views