Egla Ceno rrëfen mes lotësh momentin e vështirë: E gjeta të shtrirë në tokë

Aktorja Egla Ceno, e ftuar në emisionin “S’e luan topi”, ka ndarë me emocione të forta historinë e lidhjes së saj të veçantë me të atin, Agim Cenon, i cili u nda nga jeta kur ajo ishte vetëm 18 vjeç. Mes lotësh, Egla foli për marrëdhënien e tyre të ngushtë dhe momentet e vështira që shënjuan jetën e saj, përfshirë ditën e frikshme kur i ati pësoi një hemorragji cerebrale.

“Ishte një njeri gjakëmbël, shumë shoqëror, gjithmonë i rrethuar nga njerëz. Unë kisha një stol ku shihja filma, dhe kur i mungonte asistenti, bëhesha unë asistente. Ishim shumë të lidhur, më merrte kudo me vete,” tregoi ajo

Egla rikujtoi me nostalgji edhe udhëtimet e tyre së bashku:

“Ecnim me këmbë dy orë nga Poliçani deri te gjyshja në Peshtan. Mblidhnim lule dhe bënim kurora. Para disa ditësh takova mamin dhe… më ka marrë shumë malli për të. Ai ndërroi jetë në moshën që kam unë sot.”

Një nga momentet më të dhimbshme për aktoren ishte kur dëshmoi gjendjen kritike të të atit gjatë hemorragjisë.

“Kur ndodhi, lashë mësimin dhe shkova drejt lokalit ku qëndronte ai çdo mëngjes. Shoh që po pësonte hemorragjinë. Ambulanca e çoi në Berat ku qëndroi për 14 ditë. Një natë para se të ndërronte jetë, e takova. Ishte paralizuar dhe nuk fliste dot. Atë mbrëmje u ktheva në shtëpi, dhe ditën tjetër më sollën lajmin që kishte ndërruar jetë.”

Mes emocioneve, Egla ndau edhe pengjet e saj.

“Më vjen keq që nuk pati mundësi të jetonte më gjatë. Ai nuk mundi të bëjë shumë gjëra, por më dha gjithçka që mundi. Më thoshte gjithmonë: ‘Bëj çfarë të dojë zemra, por mos lejo që dikush të të gjykojë keq.’ Kjo këshillë është gjithmonë me mua.”

Aktorja shprehu krenarinë që i ka trashëguar tipare nga i ati, si energjia e tij dhe shpirti optimist.

Share With:
Translate »
43 Views