Publikohet përgjimi/ Të gjithë e dinin, Mario e nxorri thikën në klasë, mësuesja i dha leje

Një audio e publikuar nga një prind, e regjistruar gjatë një mbledhjeje prindër-mësues në shkollën “Fan Noli,” ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Në regjistrim, prindi i tronditur nga ngjarja tragjike që ndodhi së fundmi, u kërkon llogari mësuesve dhe drejtuesve të shkollës mbi prapaskenat që çuan në konfliktin fatal mes dy adoleshentëve.
Sipas audios, prindi akuzon mësuesit dhe drejtuesit e shkollës për mbulim të ngjarjes, duke pretenduar se këta të fundit kanë udhëzuar nxënësit të mos flasin për incidentin me gazetarët.
Nxënësit janë porositur nga mësuesit të mos japin deklarata apo intervista.
Regjistrimi zbulon gjithashtu detaje tronditëse mbi ngjarjen. Sipas prindit, konflikti mes dy adoleshentëve ka qenë i njohur për të gjithë, përfshirë oficerin e sigurisë, psikologun, drejtoreshën, mësuesen dhe nxënësit.
Pretendohet se adoleshenti i dyshuar për vrasjen Mario Perlleshaj kishte treguar thikën në klasë dhe kishte paralajmëruar se për kë e kishte marrë atë.
Më tej, mësuesja e orës së pestë, e cila ishte në dijeni të konfliktit, i kishte dhënë leje adoleshentit të largohej para kohe, duke mos marrë pjesë në orën e gjashtë. Kjo i dha atij mundësinë të përballej me viktimën në përfundim të orës së pestë, moment kur Martini do të shkonte në shtëpi.
Zbulimet kanë ngritur shqetësime serioze mbi përgjegjësinë e shkollës dhe menaxhimin e situatës. Nëse këto akuza janë të vërteta, mungesa e ndërhyrjes së duhur nga ana e stafit të shkollës mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në ndodhinë tragjike.
Prindërit dhe qytetarët kërkojnë hetime të thelluara dhe përgjegjësi për këtë rast të rëndë, ndërsa publiku pret që autoritetet të zbardhin të vërtetën dhe të marrin masa konkrete për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

Share With:
Translate »
105 Views